Analisti-LDK’së: Në emër të Ibrahim Rugovës merrni vota vetëm nga familja e tij, lëreni të pushojë i qetë

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Analisti Arton Muhaxher ka komentuar një deklaratë të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri i cili tha se përvoja nga e kaluara me VV-në dhe PDK-në nuk ua lejon të kenë një bashkëpunim të ri.

Këtë deklaratë të tij, Muhaxheri e sheh si një traumë të kësaj partie që sipas tij po tento t’ua faturojë fajin koalicioneve me PDK-në dhe VV-në.

“Kjo deklaratë e Lutfi Hazirit tregon sa e traumatizuar është kjo parti dhe si po tenton t’ua faturojë fajin koalicioneve me PDK-në dhe VV-në. Në fakt, koalicionet me PDK-në jo vetëm që nuk e dëmtuan LDK-në, por e rritën atë; madje, edhe si humbëse e zgjedhjeve, arriti ta marrë postin e kryeministrit. Ndërsa koalicioni me VV-në e solli LDK-në në gjendjen traumatike në të cilën ndodhet sot”, shkruan ai.

Sipas Muhaxherit, LDK u ndëshkua me votë për shkak se qytetari ka vlerësuar se ata janë bllokues të procesit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

“Çdo ditë e më shumë po kuptohet pse qytetari e ndëshkon kaq shumë LDK-në, sepse e ka parë si bllokuese të procesit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Megjithatë, nuk pajtohem me pretendimin se ka qenë e vetmja bllokuese: LDK-ja ka pasur rol bllokues, por bllokuesi kryesor i këtij procesi ka qenë partia VV. Pyetja bazike që duhet t’i bëhet sot LDK-së është: pse garoni në zgjedhje nëse jo për pushtet, nëse jo për koalicione — për çfarë atëherë? Derisa ta kuptoni se Rugova ka vdekur tash e 20 vjet dhe se për këto 20 vjet kanë ndryshuar gjenerata të tëra, duket qartë se në emër të tij mund të merrni vetëm votat e familjes Rugova. Lëreni të pushojë i qetë; historia është kujdestare dhe do të kujdeset për kontributin dhe rolin e tij”, ka shkruar ai.

Të ngjashme