Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja ka kërkuar nga Parlamenti Evropian që të nisin hetime për largimin e Mirsolav Lajçakut nga pozita e përfaqësuesit Special për Dialogun Kosovë-Serbi.
Në një reagim në Facebook, Ramabaja ka kritikuar Lajçakun për një deklaratë të dhënë para mediave pas takimit të pesë emisarëve ndërkombëtarë me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak tha sot se nuk dëshiron të bëjë deklarata dramatike për shkak se ndodhet “në mes të misionit”.
“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd”, tha ai.
Por, këtë deklaratë të diplomatit evropian e ka cilësuar “skandaloze” anëtari i LVV-së.
“Kjo deklaratë skandaloze është më shumë produkt i ndërdijes së një avokati të Serbisë, se sa i vetëdijes së një përfaqësuesi diplomatik të BE-së”, ka thënë Ramabaja.
“Pas kësaj deklarate, më në fund, Parlamenti i BE-së duhet të inicojë procesin e largimit të tij, krahas kërkesës për fillimin e hetive, ngjashëm siç ka vepruar ndërkohë me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, pasi kishte konstatuar se ai po favorizonte Serbinë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut”, ka thënë ai.
Ramabaja tha se Lajçak “krahas Aleksandar Vuçiqit vazhdon të jetë tepër i interesuar që plani franko-gjerman të shpallet, që pa filluar dialogu i mirëfilltë rreth tij, si projekt i dështuar.”