Angazhohet një mjek psikiatër për të moshuarën, pritet caktimi i paraburgimit për të dyshuarat

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e ka caktuar një mjek psikiatër për ta ekzaminuar gjendjen e të moshuarës që u sulmua gjatë ditës së djeshme në Shtëpinë e Pleqve në Pejë.

Kjo për të parë nëse ajo është në gjendje të jap deklaratë, kështu tha Dorian Juniku.

“E kemi angazhuar një mjek psikiatër që fillimisht ai ta vlerësojë gjendjen e saj psiko-fizike, nëse e njëjta në këtë fazë është ne gjendje të jap deklaratë ose jo dhe varësisht prej konstatimit të mjekut do të veprojmë. Para pak çastesh ne morëm informacione se ekzaminimi u krye. Jemi në pritje të raportit”, tha Juniku për Klankosova.tv.

Ai theksoi se gjatë ditës do të bëhet edhe caktimi i paraburgimit për tre të dyshuarat.

“Sot do të parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit, ndaj tri të dyshuarave. Qysh dje ne e kemi autorizuar policinë që të intervistojë personelin por edhe personat e tjerë që kanë qenë banorë në atë shtëpi, me qëllimin që të sigurojmë ndonjë provë nëse eventualisht mund të ketë ndodhur ndonjë rast edhe më përpara”, tha ai.

Se a mund të ketë edhe të arrestuar të tjerë, prokurori tha se do të veprohet konform hetimeve.

“Jemi duke punuar në atë drejtim, varësisht prej provave që do të konsistojnë nga vazhdimi i hetimit ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura ligjore”, tha prokurori.

Tutje, ai shtoi se po shikojnë nëse ka pasur ndonjë rast tjetër i cili ka qenë i raportuar nga ky institucion.

Të ngjashme