Angela Merkel refuzon vaksinën AstraZeneca, kjo është arsyeja

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk do ta marrë vaksinën e AstraZenecas për një arsye që nuk lidhet me sigurinë e vaksinës, por me moshën.

Ritmi i vaksinimit në pjesë të tjera të Evropës ka qenë shumë më i ngadaltë se ai në Britaninë e Madhe dhe ka pasur raporte se njerëzit kanë refuzuar të marrin vaksinën e AstraZenecas pas disa dyshimeve të lidhura me efikasitetin e saj.

Merkel, që është 66 vjeç u pyet nga gazeta Frankfurter Allgemeine nëse do ta merrte një dozë të AstraZenecas për të hedhur poshtë perceptimin se ajo nuk është e efektshme.

Kancelarja u përgjigj se nuk do ta marrë për shkak se vaksina në fjalë nuk është aprovuar për personat mbi 65 vjeç.

“Unë jam 66 vjeç dhe nuk i përkas grupit të rekomanduar për AstraZeneca-n. Por ajo është një vaksinë e besueshme, e sigurt dhe efikase, e aprovuar nga Agjencia Europiane e Barnave dhe në Gjermani është rekomanduar për moshat deri në 65 vjeç. Të gjithë autoritetet na thonë se kësaj vaksine mund t`I besohet. Për sa kohë vaksinat janë në mungesë si ç’po ndodh tani, nuk ke shumë mundësi zgjedhjeje se me çfarë të vaksinohesh”, tha Merkel.

Më shumë se 1.4 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca po qëndrojnë nëpër rafte në Gjermani, thotë The Times, ndërsa punonjësit e shëndetësisë kanë administruar vetëm 240 mijë doza. Kreu i komisionit gjerman të vaksinave, Thomas Mertens tha se po përpiqen shumë t’i bindin njerëzit që ta pranojnë vaksinën dhe popullata të krijojë besim tek ajo.

Gazeta Handelsblatt publikoi së fundi një raport i cili citonte disa zyrtarë vendas shëndetësie të pohonin në kushte anonimati se vaksina e AstraZenecas ishte efikase vetëm 8% në mesin e moshave të mëdha, por si qeveria gjermane ashtu dhe kompania vetë i kanë hedhur poshtë të tilla pretendime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme