Njëmbëdhjetë anije të mbytura gjatë veprimeve luftarake në dy luftërat botërore ndodhen në ujërat detare pranë Durrësit.
Numri i përgjithshëm i tyre në ujërat shqiptare arrin në rreth 60.
“Komanda e Forcës Detare ka ndërmarrë nismën që synon jo vetëm ruajtjen dhe konservimin e tyre, por edhe mundësinë e krijimit të një Muzeu Kombëtar të Detarisë, si dhe hapjen e parqeve nënujore për zhytësit e pasionuar”, bën të ditur Autoriteti Portual Durrës.
Takimet e para me drejtues dhe specialistë të ministrive të Kulturës dhe të Turizmit e konsiderojnë të domosdoshëm edhe përmirësimin e legjislacionit të kësaj fushe, transmeton ATSH.
Komanda e Forcës Detare ka propozuar territorin e ish-shkollës Ushtarake Detare në Vlorë si vendin më të përshtatshëm për ngritjen e një Muzeu Kombëtar të Detarisë, ndërsa bashkë me dy zona ujore pranë Radhimës dhe Karaburunit (Vlorë), po shihet mundësia e krijimit të një Parku Nënujor edhe në afërsi të Bisht Pallës (Durrës).