Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti, ka vizituar kompaninë e ndërtimit “PIKA”. Ai gjatë takimit premtoi projekte të mëdha urbanistike, raporton Ekonomia Online.
Mehmeti gjatë këtij takimi i përgëzoi stafin dhe punëtorët e kësaj kompanie që me investimet e tyre i kanë sjellë Kosovës dhe Prishtinës respektivisht fitime të mëdha.
Ai tutje theksoi rëndësinë e programeve teknologjike informative dhe rininë e shëndoshë që mund të kryejnë punë të ndryshme.
“Janë programe që mundemi vet m’i zhvillu sepse kemi një teknologji informative dhe një rini të shëndoshë”.
“Ajo çfarë më jep dhimbje është se ju keni kryer punë por ne nuk kemi mundur me i përcjell, duke përfshirë investime të shumta. Është e rëndësishme të bëhet një zgjidhje afatgjate”.
Në anën tjetër pronari i Kompanisë “PIKA”, Arif Dermishi, tha se problemi i tyre që më së shumti i shqetëson ata si investitorë është procedurat e lejes dhe nënshkrimet për ndërtime, të cilat sipas tij i japin shumë lodhje dhe mundim.
“Është e pakuptimtë me prit një muaj e dy muaj për një leje apo procedurë të ndërtimit, apo për një nënshkrim. Vinë inspektorat dhe na gjobitin si pasojë mos dhënies së atij nënshkrimi”.
Ai tutje tha se shpreson që në këto zgjedhje të bëhet ndryshim dhe që të mos ketë penalizime të tilla.
“Kjo po na lodh shumë sepse puna e biznesit kërkon shumë punë por edhe mbështetje. Duam qasje nga komuna për neve si investitorë. Urojmë që të penalizohen këta persona në këto zgjedhje”, theksoi tutje ai
Mehmeti krejt në fund tha se krejt kjo punë duhet të bëhet me vullnet dhe dëshirë.
“Është çështje e vullnetit dhe dëshirës që me u instalua kjo mënyrë e punës sepse mundemi me bë projekte të rëndësishme ekonomike”.