Bruno Fernandes nuk po mundet ta kapërdijë assesi humbjen e Manchester Unitedit nga Tottenhami.
Kapiteni i “Djajve të Kuq” e ka sulmuar referin Jon Moss për një penallti të pa dhënë për skuadrën e tij tek rezultati 0:0 (prekje me dorë e Romeros në gjuajtjen e Garnachos).
“Duhet ta pyesni se përse nuk akordoi penallti. Gjyqtarët duhet të nisin të japin intervista pas ndeshjeve për t’i shpjeguar vendimet e tyre. Është penallti e pastër, nuk ka arsye për të mos e parë, nuk ka pardon për VAR-in që nuk sheh raste të tilla”, ka thënë ylli portugez.
“Javën e kaluar i dhanë rëndësi të madhe faktit se Wolverhamptonit nuk i ishte dhënë një penallti kundër nesh dhe gjyqtari kishte kërkuar falje tek trajneri i tyre në dhomën e zhveshjes. Dua ta shoh se çka do të ndodhë këtë javë, nëse do të jetë spektakli i njëjtë që u bë javën e kaluar”, vazhdoi 28 vjeçari, i cili në të kaluarën ka luajtur në Novara, Udinese, Sampdoria e Sporting Lisbona.