Para 73 vjetësh malësorëve të Rugovës iu lindi një vizion, të ruajnë të gjitha trashëgimitë kulturore të bartura ndër shekuj brez pas brezi, në ansamblin folklorik autokton “Rugova”. Nga treva malore zbritën poshtë “luftëtarët” rugovas të armatosur me kobure e pushkë të moçme baruti, dhe filluan ta kërcejnë vallen e tyre të betejës, me të cilën këtë ansambël e ka bërë të njohur jo vetëm në trojet shqiptare. Vallëzimet, kënga, dasmorët, nuset e mbuluara me shami të kuqe, e përreth vallet e vajzërisë, e nënat rrotullonin tepsinë mbi sofër. Të gjitha këto tradita të vjetra u ngërthyen në programin e këtij ansambli, i cili me dekada, brenda dhe jashtë vendit ka prezantuar vlerat e mëdha të etnosit malësor.
Në mënyrë që vallja, kënga dhe veshja rugovase edhe më tej të frymojnë dhe të mos zhduken në librat e historisë, përfaqësuesit e ansamblit “Rugova” qe 20 vjet kanë ngjallur iniciativën për futjen e këtij ansambli nën mbrojtje shtetërore si trashëgimi shpirtërore. Dhe jo vetëm ansamblin, por edhe lojërat e parvjetshme tradicionale “Rugova” më mbanin gjallë frymën e autoktonisë malësore, raporton KOHA.
E gjithë kjo traditë e trashëgimisë së ruajtur me fanatizëm dhe e mbajtur gjallë qe shtatë dekada me ansamblin u kurorëzua të martën në fshatin Stankaj të Rugovës, me vendimin që të merren nën mbrojtje nga shteti si trashëgimi shpirtërore.
“Lojërat tradicionale ‘Rugova’ dhe opusi i ansamblit folklorik ‘Rugova'” është emërtimi me të cilin janë përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, që për herë të parë u shpall më 2011 dhe prej atëherë ripërtërihet a pasurohet për çdo vit. Trashëgimia shpirtërore është kategoria më së paku e përfaqësuar në këtë listë, së cilës tash i shtohet edhe kjo pjesë e traditës së Rugovës.
Këtë lajm ua solli rugovasve në një aktivitet të shënimit të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në të cilin, ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.