Anulimi i Lojërave Olimpike “Tokio 2020” mund të jetë ende një opsion nëse situata me COVID-19 përkeqësohet. Kështu të paktën ka vlerësuar një anëtar i Partisë Liberale Demokratike (LDP), që është forca e dytë politike në Japoni.
Numri i të infektuarve me koronavirus ka filluar të rritet në Japoni, kur kanë mbetur më pak se 100 ditë deri në fillim të Lojërave Olimpike. Ngjarja më e madhe sportive do të nisë më 23 korrik.
“Nëse bëhet i pamundur menaxhimi i situatës me pandeminë, atëherë Lojërat Olimpike duhet të anulohen”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i LDP-së, Toshiro Nikai. “Cili është qëllimi i Olimpiadës nëse është përgjegjëse për përhapjen e infeksioneve? Ne do të duhet të marrim një vendim në atë pikë”.
Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, është zotuar të organizojë Lojëra “të sigurta”, duke thënë se ato do të shërbejnë si një simbol i triumfit të njerëzimit mbi pandeminë.
Nikai gjithashtu tha që mbajtja e Lojërave Olimpike është një “shans i madh” për Japoninë dhe përpjekjet duhet të vazhdojnë për të siguruar suksesin e ngjarjes me mbështetjen nga publiku. Por, paralajmëroi se kjo do të bëhet pa e rrezikuar shëndetin publik.
Përgjegjësi për vaksinim, Taro Kono, tha në një shfaqje të veçantë televizive se Lojërat do të mbahen në “cilëndo mënyrë të jetë e mundur”, ndoshta pa spektatorë.
Rastet me koronavirus në Japoni janë rritur pasi gjendja e jashtëzakonshme u hoq plotësisht muajin e kaluar, me kufizime më të ashpra, përfshirë orët më të shkurtra të punës për restorantet dhe baret në Tokio dhe disa qytete të tjera. Osaka, epiqendra aktuale e infeksioneve, raportoi të mërkurën 1.130 raste të reja, më shumë se një të katërtën e totalit në të gjithë vendin.
Pas komenteve të Nikait, ligjvënësit e opozitës bënë thirrje që Qeveria të rritë diskutimet nëse duhet të vazhdojë me Lojërat Olimpike.
“Duke parë situatën aktuale do të ishte e vështirë të shiheshin Lojërat Olimpike si provë se njerëzimi ka mundur koronavirusin”, tha Jun Azumi, kreu i çështjeve parlamentare të Partisë Kushtetuese Demokratike të Japonisë, partisë kryesore opozitare. “Vërejtjet e Nikait janë një shans për secilin prej nesh të shqyrtojë seriozisht nëse duhet të shtyhet përpara drejt Lojërave”.
Nikai më vonë minimizoi komentet e tij, duke thënë se vendimi për të anuluar qëndron tek organizatorët dhe se LDP-ja mbetet e përkushtuar për t’i mbështetur Lojërat Olimpike që do të organizohen në një mënyrë të sigurt.
“Ajo që doja të thosha ishte se nëse po pyetni nëse Lojërat Olimpike dhe Paralimpike duhen mbajtur pa marrë parasysh çfarë, unë do të thosha jo”, tha ai në një deklaratë.
Ndërkohë, organizatorët e LO “Tokio 2020”, në një përgjigje, shkruan: “Kryeministri Suga ka shprehur vazhdimisht angazhimin e qeverisë për të mbajtur Lojërat Olimpike. Të gjithë partnerët tanë, duke përfshirë qeverinë kombëtare, Qeverinë Metropolitane të Tokios, Komitetin Organizativ të ‘Tokio 2020’, IOC dhe IPC janë plotësisht të përqendruar në pritjen e Lojërave këtë verë. Tokio 2020 po shpreson për shërimin sa më të hershëm të mundshëm për të gjithë të prekurit nga pandemia COVID-19 dhe do të vazhdojë të punojë drejt mbajtjes së Lojërave të sigurta këtë verë”.
Një sondazh i fundit i kryer nga “Kyodo News” tregoi se mbështetja publike për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike nuk po shkon përpara siç ishte planifikuar, me 39.2 për qind të të anketuarve që thanë se Lojërat duhet të anuloheshin dhe 32.8 për qind të thoshin që ato duhej të planifikoheshin përsëri. Ndërkohë “Kyodo News” po raporton se Qeveritë e Hokkaido dhe kryeqyteti i saj, Sapporo kanë vendosur të anulojnë një vrapim prej 10 kilometrash të planifikuar për muajin tjetër në shtegun olimpik të maratonës mes rritjes së infeksioneve të koronavirusit në zonë.
Gara në një pjesë të shtegut zyrtar të maratonës së Lojërave do të zhvillohej më 5 maj duke përfshirë 2500 pjesëmarrës, si pjesë e Festivalit të Maratonës Hokkaido-Sapporo, i cili do të shfaqë një vrapim gjysmëmaratonë si një ngjarje provuese olimpike.
Gjysmëmaratona do të vazhdojë siç është planifikuar, me rreth 160 vrapues elitarë, duke përfshirë edhe disa atletë të kualifikuar olimpikë. Hokkaido dhe kryeqyteti i saj Sapporo kohët e fundit kanë regjistruar dhjetëra raste të njerëzve të infektuar me variante të reja të COVID-19. Autoritetet e qytetit dhe prefekturave planifikojnë të zgjasin kufizimet deri më 14 maj, duke çuar në vendimin për të anuluar garën.