Anulohet projekti afaristo-banesor në Lakrishtë, Retkoceri: I ka rrezikuar financat e NPB-së

Prishtinë | 08 Qer 2023 | 12:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aksionarët komunalë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë marrë vendim për anulimin e kontratës së projektit afaristo-banesor në Lakrishtë, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie, të enjten, aksionari i NPB-së, Leutrim Retkoceri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili tha se vendimi për anulimin e projektit bazohet mbi vlerësimin e Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës.

Retkoceri tha se Zyra Ligjore e komunës ka konkluduar se projekti është në kundërshtim me rregulloret në fuqi të NPB-së, teksa ka paraqitur edhe disa kërkesa për Bordin e Drejtorëve të NPB-së.

Siç tha ai, kontrata i ka kushtuar miliona euro Ndërmarrjes dhe e ka rrezikuar aspektin e saj financiar.

“Mbledhja vjen pas hulumtimeve për kontratën e ndërtimit të projektit në Lakrishtë. Disa herë është konstatuar kjo kontratë nga disa parti politike. Në lidhje më këtë kemi zgjedhur rrugën e drejtë, nuk do të ndalemi për qëllimin e ruajtjes së interesit publik dhe NPB-së”.

Retkoceri ka treguar se disa herë kanë kërkuar të raportojnë në Kuvendin Komunal të Prishtinës lidhur me kontratën.

“Ka pasur edhe hetime nga prokuroria për zyrtarë të lartë të NPB-së. Më 28 prill kemi dërguar raportin dhe informatat e nevojshme për kuvendin komunal të Prishtinës dhe kemi kërkuar që të raportojmë për këtë temë dhe raportin vjetor para kuvendit komunal. Kemi vazhduar edhe më tutje, që më 26 maj kemi kërkuar opinion ligjor nga zyra ligore e komunës së Prishtinës, me qëllimin e vetëm për ta ruajtur pronën publike të Prishtinës”.

Tutje, ai ka treguar për vendimin i cili ka hyrë menjëherë në fuqi dhe ka paraqitur kërkesat e aksionarëvë karshi Bordit të Drejtorëve.

“Zyra ligjore ka dhënë konkluzionet se ndërtimi është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ne aksionarët kemi marrë vendim. Anulohet vendimi, me numër protokolli 01-0886/1 i datës 27/04/2021 i komisionit komunal të aksionarëve për miratimin e draft-marrëveshjes kryesore për bashkë-investim. Kërkohet nga Dordi i Drejtorëve ta shfuqizojë rregulloren për rritjen e pasurisë së paluajtshme të NPB-së. Obligohet Bordi i Drejtorëve që të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor lidhur me këtë kontratë. Obligohet Bordi të kërkojë nga departamentet përkatëse të NPB-ja dhe të bëjë një vlerësim të dëmeve që ka shkaktuar kontrata dhe t’i njoftojë organet e rendit për këto dëme”.

“Rrezikohet e ardhmja e Ndërmarrjes në aspektin financiar, sepse e njëjta ka shkaktuar shpenzime, kemi bërë investime, taksën për ndërtim, e cila kap shifrën e miliona eurosh”, tha ai, raporton EO.

Lidhur me rastin, NPB-ja është ballafaquar në gjykatë edhe me padi nga Qeveria e Kosovës, por rastin e ka fituar me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Projekti për objektin afaristo-banesor në Lakrishtë, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.

Vendimin për pezullim e kishte nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Kontrata, përmes Avokaturës Shtetërore, është dërguar me Kallëzim Penal në Prokurori Speciale e cila veten e ka shpallur jo kompetente dhe është iniciuar rast në Gjykatën Themelore për anulimin e kontratës.

Aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) mbajnë konferencë për medie.

Të ngjashme