Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit një raport, i cili adreson problematikën e përcaktimit paushall të tarifave të ujit, aty ku nuk ekziston mundësia teknike për vendosjen e ujëmatësve.
Raporti bazohet në raportimet e mediave për këtë mënyrë faturimi, duke vënë në thelb të analizës të drejtën e mbrojtjes së konsumatorit, të drejtën e pronës dhe trajtimin e barabartë të konsumatorëve kundrejt aplikimit të akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe ligjshmërinë e aplikimit të rregullave të përcaktuara nga ana e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
“Në analizën e bërë, Avokati i Popullit vëren se përderisa preciziteti i kornizës ligjore është i pakontestueshëm, gjendja faktike dëshmon mbi mosrespektimin në praktikë të ligjeve në fjalë, por edhe të legjislacionit sekondar që është hartuar në përpikëri nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, gjë që kërcënon me mosrespektim të të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutë”, thuhet në raport.
“Mbetet brengosës fakti që faturimi i ujit paushall aty ku ekziston metoda e faturimit përmes ujëmatësit, si dhe faturimi i ujit aty ku nuk ekziston mundësia teknike për vendosje të ujëmatësit, kërcënon me pasiguri juridike konsumatorin por edhe kërcënon tërë punën e ligjvënësit në përpilimin e kornizës që rregullon këtë sferë”, thuhet në raport.
Raporti vë në pah se Neni 1 i Protokollit 1 të KEDNj-së e paraqet “pronë” pasurinë e shprehur në të holla të konsumatorëve, të fituar përmes pagës apo edhe pensionit. Në lidhje me këtë, Avokati i Popullit pohon se çdo ndërhyrje në “pasurinë” e konsumatorit, që nuk është bërë në pajtim me ligj paraqet shkelje të kësaj të drejte dhe thekson se faturimi i ujit assesi nuk mund të jetë shkelje e kësaj të drejte, por të njëjtën do ta shkaktojë faturimi i ujit në mënyrë jo proporcionale.
Për më tepër, në Raport sqarohet se me gjithë faktin që ligji parasheh faturimin e ujit në mënyrë paushall në raste të caktuara e në veçanti aty ku nuk ekzistojnë kushte teknike për të instaluar ujëmatës, ky faturim duhet të bëhet në mënyrë proporcionale dhe të drejtë.
Faturimi i ujit paushall dhe në mënyrë jo proporcionale, përveç që paraqet ndërhyrje në të drejtën pronësore të konsumatorëve, paraqet edhe trajtim të pabarabartë, e që bie ndesh me Nenin 3 të Kushtetutës së republikës së Kosovë, ku garantohet barazia para ligjit.
“Raporti në fjalë i rekomandon autoritetit përgjegjës që faturimi i ujit bëhet në bazë të konsumit real në njehsorin e konsumatorit dhe sipas shpenzimeve reale. Caktimi i çmimit paushall aty ku matja në bazë të ujëmatësit nuk është e mundur, të bëhet në pajtim me rregulloret në fuqi, veçanërisht në pajtim me Rregulloren për standardet minimale të shërbimit të ofruesve të shërbimeve të ujit në Kosovë (R-03/U&K), neni 38 (b)”.
“Po ashtu, duke marrë parasysh licencimin e Ofruesit të Shërbimeve nga ana e Autoritetit, Raporti rekomandon monitorimin më të rregullt të Ofruesit të Shërbimeve në lidhje me zbatimin e legjislacionit sekondar të miratuar nga vet Autoriteti. Pa marrë parasysh që një obligim i tillë është i paraparë me vet rregulloret e Autoritetit, ajo që është theksuar më lart, flet në drejtim të ushtrimit të masave më të rrepta monitoruese në drejtim të parandalimit të ndërhyrjes së mëtutjeshme në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit dhe ushtrimin e së drejtës së pronës”.