Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
Por, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore, teksa lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi lirues ndaj Konjufcës përfshin shkelje esenciale në procedurë penale.
“Aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.10 dhe në lidhje me nenin 363 të KPP-së, e që lidhen edhe me bazën ankimore, vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike nga neni 386 par.3 i KPPK-së, sepse sipas shkresave të lëndës rezulton se, në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejt dhe në mënyrë të plotë provat e administruara, e atë dëshmitë e dëshmitarëve A.G., I.B., V.B., S.H. dhe S.P., provat materiale si raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, lokacioni i incidentit – Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, Salla e mbledhjeve C.nr. 301, data/koha e incidentit, lista e dëshmive (dëshmia E-1, bombola e gazit lotsjellës e zbrazët, si dhe vendi i gjetjes në dysheme në mesin e tavolinës në sallën 301)” – thuhet në aktgjykimin e Apelit të datës 30.01.2026.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka argumentuar bindshëm se pse e ka liruar Glauk Konjufcën nga vepra penale.
“Një përfundim i tillë i gjykatës së shkallës së parë, sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate, është jo i drejtë dhe jo i plotë, ngase në këtë çështje penale, përpos dëshmive të dëshmitarëve, kemi edhe prova të tjera materiale, e po ashtu kemi edhe vetë pohimin e të akuzuarit në deklarimin e tij në prokurori, ku ndër të tjera ka deklaruar se atë ditë e ka përdorur gazin lotsjellës, por ka deklaruar se gazin lotsjellës nuk e konsideron armë, duke u bazuar në Ligjin për armët, ku ceket se gazi lotsjellës është municion dhe asgjë më shumë” – theksohet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Sipas Apelit, në rigjykim, Gjykata e Prishtinës duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet, t’i eliminojë të gjitha shkeljet e cekura në aktgjykim dhe, varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave, të nxjerrë konkluzione të drejta, të ligjshme dhe të bazuara në provat e administruara.
Në aktakuzën e vitit 2017 përshkruhej se, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
KALLXO.com ka kontaktuar me avokaten Arbnora Zeqiri, e cila në këtë rast përfaqëson Konjufcën, por e njëjta përmes telefonit tha se aktgjykimin e Apelit, që lënda të kthehet në rigjykim, nuk e ka pranuar zyrtarisht, madje tha se nuk është në dijeni.
Megjithatë, në seancën kur ishin dhënë fjalët përfundimtare lidhur me gjykimin e nisur me aktakuzën e ngritur në vitin 2017, avokatja Arbnora Zeqiri kishte kërkuar nga Gjykata që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuzat.
“Duke u bazuar në rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor dhe të gjitha ato çka i kemi dëgjuar, si dhe në provat e administruara, është vërtetuar se Glauk Konjufca nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet” – theksonte Zeqiri më 23.02.2024.
Ajo gjithashtu kishte shtuar se ajo çka ka munguar nga Prokuroria është një ekspertizë sa i përket bombolës së gjetur në vendin e ngjarjes.