Pas katër vjetësh në paraburgim, ish-togeri i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Menderes Sinani, eshtër liruar nga kjo masë.Ish-togeri ndodhej në paraburgim që prej 12 shtatorit të vitit 2013, ndërsa ai është liruar nga kjo masë me urdhër të Gjykatës së Apelit.
Sinani nga Gjykata Themelore në Ferizaj, në tetor të vitit të kaluar, ishte dënuar me shtatë vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për disa vepra penale.
Lajmin për lirimin e tij, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, por i cili nuk ka treguar për arsyetimin e këtij aktvendimi si dhe nëse ky rast është kthyer në rigjykim apo rivendosje.
Gjithashtu, edhe mbrojtësi i Sinanit, avokati Aziz Rexha, ka deklaruar se klienti i tij është liruar nga paraburgimi, mirëpo, thotë se ende nuk e ka pranuar aktvendimin e Apelit.
“E di që është liruar nga paraburgimi, por vendimin e Gjykatës së Apelit ende nuk e kam pranuar”, ka deklaruar Rexha për “Betimi për Drejtësi”.
Seanca para kësaj gjykate ishte mbajtur me 29 shtator të këtij viti, e cila ka shqyrtuar ankesat për ish-togerin Sinani, i cili ishte shpallur fajtor për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “dhënie ndihmë kryesve të veprës penale” dhe “moslajmërim i veprës penale apo kryesve të tyre”.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, më 6 tetor 2016, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari i EULEX-it, Piotor Bojarchuk, kishte dënuar ish-togerin ferizajas Menderes Sinani, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim.
Nga gjithsej 8 pikat e aktakuzës, Sinani ishte shpallur fajtor në pesë prej tyre, dhe atë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare, “marrje të ryshfetit”, “ushtrim të ndikimit”, dhënie ndihmë kryesve të veprës penale dhe “moslajmërim i veprës penale apo kryesve të tyre”.
I akuzuari tjetër në këtë rast, Vahid Tahiri, ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale “shmangie nga pagesat e taksave doganore”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor 2013, kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj, kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Ndërkaq, Vahid Tahiri, ishte akuzuar për “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.