Lëvizja Vetëvendosje njofton se ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka konstatuar disa shkelje në rastin e deportimit të aktivistit të këtij subjekti, Arbër Zaimi, duke e gjetur si të pabazuar vendimin e marrë nga Gjykata Themelore.
Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit janë radhitur një sërë shkeljesh esenciale në procedurë, por edhe paqartësi juridike dhe kundërthënie në formulime të pambështetura për këtë rast. Në aktvendim shkruhet se me rastin e deportimit të Arbër Zaimit janë shkelur edhe parimet kushtetuese dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë edhe shkeljen për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe në kohë të arsyeshme.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit vërteton një fakt të rëndësishëm sa i takon gjithë procedurës së ndjekur, nga ajo administrative e deri në atë gjyqësore, neglizhencën e Gjykatës Themelore që vendimin e saj ta bazojë në të dhënat konkrete e të vërtetuara. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për të Huaj, i padituri në këtë rast, dekonspirohet meqë në vend se të ofronte siguri juridike në procedurë ankimore, ka mbuluar të metat e rastit. Komisioni Qeveritar, i themeluar nga vet Kryeministri, duke mos i paraqitur provat dhe duke mos e mbështetur vendimin e tyre me fakte konkrete në gjyq, vërteton haptazi se i gjithë rasti është i montuar politikisht nga Qeveria e Kosovës dhe instrumentet e saj”, thekson Vetëvendosje.
“Deportimi i aktivistëve Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Boiken Abazi ka qenë dhe vazhdon të jetë i kundërligjshëm, jashtë procedurës dhe tërësisht i motivuar politikisht, dhe kjo gjë ka qenë e qartë që prej fillimit. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit e ka kthyer rastin e Arbër Zaimit në rigjykim, duke vërtetuar edhe një herë se kemi të bëjmë me një përndjekje politike të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nga një qeveri autoritare e antikombëtare, që lufton me zell çdo shqiptar që ia rrezikon pushtetin”.
VV kërkon me ngulm shfuqizimin e të gjitha “masave penguese të marra nga kjo qeveri kundër aktivistëve Arbër Zaimi, Dejona Mehali dhe Boiken Abazi, si dhe ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë të Republikës së Shqipërisë që i janë bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në kundërshtimin ndaj regjimit që sundon në Kosovë”.