Po konsiderohet e nevojshme që të rinjtë e Kosovës të kenë një edukim ushtarak, mirëpo aplikimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm po del të jetë i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë për Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se jetësimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm do të kushtonte rreth 300 milionë euro vetëm për një vit.
“Është e mirë që të rinjtë e Kosovës të kenë një edukim ushtarak, shembull tre mujor, mirëpo për momentin ku ndodhet ekonomia e saj, unë mendoj që është e parealizueshme, për arsyeje që është shumë e kushtueshme për ta bërë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, nevojitet përgatitje jashtëzakonisht e madhe, fillimisht Ushtria e Kosovës nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme as për akomodim e as për trajnim, ajo duhet me u ndërtua, do t’i duhet çdo komune në Kosovë ta hapë zyrën për evidentimin e të rinjve që shkojnë në shërbim ushtarak, dhe aty duhet të ndahen me gjininë se për çka është trajnuar”, u shpreh ai.
“Sipas përllogaritjeve të mija që i kam bërë, rreth 30 mijë të rinj çdo vit i mbushin 18 vjet, dhe nëse ata i thërrasim në shërbim ushtarak, për një person 10 mijë euro kushton për tre muaj ditë, del 300 milionë, kjo për ekonominë e saj është e pa realizueshme dhe pa imagjinueshme që Kosova të ndajë 300 milionë për shërbim ushtarak të detyrueshëm, na kemi një ushtri që ka fillua që dy vite me mision ushtarak dhe plani i veprimit që është paraparë do të duhet të zgjaste 10 vjet dhe për ato 10 vjet çdo herë duhet të rritet buxheti për blerjen e pajisjeve, armatimeve, e çdo gjë që është e nevojshme, dhe unë po e shohë që Qeveritë e kaluara, dy qeveritë e kaluara nuk kanë pasur vullnet me rritë buxhetin”, tha ai për Ekonomia Online.
Po ashtu edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kostoja buxhetore është shumë e madhe për aplikimin shërbimit ushtarak të obligueshëm.
“Kostoja buxhetore është e madhe, fillimisht duhet të harmonizohet me politikat apo strategjitë siç është strategjia e mbrojtjes, mandej me ligjet për FSK-në, edhe ligji për ministrinë e Mbrojtjes e mandej të fillohet në aspektin të trajtimit në aspektin e implikimeve financiare, besoj që të rinjtë tanë kanë vullnet e dëshirë të përfshihen në këto trajnime por edhe pse jo në shërbim të FSK-së”, tha ai
“Me siguri janë vlera të larta milionëshe, së pari duhet të bëhet infrastruktura, mendoj që është një kosto mjaftë e lartë”, u shpreh tutje ai për Ekonomia Online.
Më tej, Kastrati thotë se ky projekt nuk mund të realizohet në një mandat katër vjeçar, sipas tij më shumë se dy mandate merr kohë implementimi i saj.
“Deklaratat e kryeministrit, më herët, pasi tash e ka harruar atë projekt, unë e kam përmendur më herët që është deklaratë populiste sesa deklaratë që mund të realizohet, jo se jo në mandatin e tij katër vjeçar por unë dyshoj që edhe në mandatin e dytë, nëse e merr kjo qeveri apo ndonjë qeveri tjetër, që nuk mund të realizojë një projekt të tillë. Të gjitha shtetet e NATO-s këtë shërbim të obligueshëm e kanë larguar për arsyeje është shumë i kushtueshëm dhe jo i nevojshëm, dhe ekonomitë nuk mund të përballojnë këtë”, tha ai.
Tutje, Kastrati propozon që të fillojë ligjërimi nëpër fakultete për edukimin ushtarak, që sipas tij kjo formë është më e implementueshme pasi ka kosto më të ultë.
“Unë kam një ide ndryshe që mund të bëhet me kosto shumë minimale, që të shkohet dhe të ligjërohet nëpër fakultet për një lëndë për edukim ushtarak, dhe në vikende të shkojnë nëpër Kazermë, dhe atje të familjarizohen me trajnime, me armë. Kjo është shumë pak e kushtueshme, por në anën tjetër është një edukim ushtarak”, u shpreh ai.
“Fillimisht duhet të formohet një ekip ekspertësh, për ta bërë një strategji, një projekt të tillë që duhet të punojë, kjo nuk është një projekt që duhet të punohet një javë, por lyp minimum 1-2 vite, për ta qitë në letër, prej atyre pajisje minimale, deri te pajisjet e sofistikuara, pastaj trajnimet në fushat ndryshme, vullnet politik para së gjithash, dhe kjo lyp kohë. Duhet po ashtu një bashkëveprim me partnerët strategjik, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian që vazhdimisht janë duke ndihmuar Kosovën”, tha tutje gjenerallejtënant Kastrati.
Në anën tjetër, Ibishi propozon që të fillimisht procesi të jetë në baza vullnetare, dhe gradualisht të bëhet i obligueshëm.
“Së pari unë kam qenë përkrahës që të bëhet një shërbim, tash fillimisht edhe për shkak të implikimeve buxhetore dhe çështjeve të tjera që nuk janë të rregulluara, këto ligje, por edhe paraparë me strategjinë e mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës, që të shikohet edhe njëherë të fillohet në baza vullnetare e madje të bëhet edhe shërbim i detyrueshëm ushtarak, një kohë zgjatje 3-4 muaj, ashtu siç e kanë disa vende që janë anëtare te NATO-së, që disa prej tyre edhe kanë rifilluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shkak të kërcënimeve dhe rreziqeve të reja edhe nga terrorizmi edhe kërcënime të tjera hibride por edhe njëkohësisht nga Rusia. Kështu që edhe ne për shkak të kapaciteteve të kufizuar edhe komponentin aktive të FSK-së, me fillimin njëherë si vullnetar e kishim plotësua edhe qatë mangësi që me ripërtëri kuadrot të FSK-së, në të gjitha fushat”, u shpreh ai për Ekonomia Online.