Kosova aplikon për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian (BE), deri në fund të këtij viti. Ky ishte premtimi që zyrtarë të lartë të shtetit dhanë vitin që lamë pas, raporton Ekonomia Online.
Ky paralajmërim po konsiderohet i ngutshëm ngase aplikimi mund të refuzohet qysh në fazën e parë, por edhe se vendit i duhen edhe një varg reformash që duhet bërë e kushtesh që duhet plotësuar.
Madje aplikimi për statusin e vendit kandidat po konsiderohet si formal dhe i panevojshëm nga Jehona Lushaku-Sadriu, analiste e çështjeve politike.
Profesoresha e Shkencave Politike, thotë se vendi nuk ka kohë për të humbur me aplikime të tilla, por që duhet të përqendrohet në zbatimin e obligimeve që ka marrë nga BE.
“Më e rëndësishme është që ne si Kosovë t’i plotësonim kushtet dhe përmbajtësisht të kërkojmë fazë pas faze anëtarësimin tonë duke i plotësuar këto kushte sepse vetëm aplikimet formale pa ndonjë bazë të fortë, pa dëshmi të caktuar se ne i kemi hyrë reformave në mënyrë serioze, kemi dëshmuar që kemi luftuar korrupsionin pa ofruar të dhëna të sakta se sa janë të dhënat në luftimin e korrupsionit, demarkacioni do duhej të ishte proces si përfunduar, ka shumë kushte të tjera për çka ne do duhej t’i dëshmonim Bashkimit Evropian përpara se ta bëjmë një hap këtillë sepse mund të refuzohet qysh në fazën fillestare dhe mund të dëshpërohemi”, tha ajo.
Prandaj sipas saj, institucionet duhet të tregohen më shumë serioze sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e sidomos në kushtet që i janë caktuar për liberalizimin e vizave.
“Kosova do duhej të tregonte më shumë seriozitet ndaj plotësimit të kushteve që janë në procesin e liberalizimit dhe pas zbatimit të MSA-së dhe të gjitha kushteve që dalin nga procesi i integrimit evropian. Ka një sërë kriteresh të cilat në aktualisht do duhej t’i plotësonim dhe këtu në këtë fazë nuk jemi treguar serioz dhe nuk i jemi qasur procesit të integrimit si proces në mënyrë më serioze nga ana e Qeverisë. Prandaj kjo është hapi i parë dhe kjo është treguesi jonë i parë që do duhej të ja tregonim Bashkimit Evropian. Në anën tjetër BE do të ketë raporte edhe ndaj Kosovës, por siç është paralajmëruar në strategjinë për zgjerim nuk do të jetë Kosova pika kyçe dhe nuk jemi në fazën me të cilën do duhej të merreshim shumë me aplikime formale”.
Sipas Lushakut-Sadriut, BE këtë vit publikon strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe si rezultat i kësaj kërkohen shumë kushte për tu plotësuar.
“Viti 2018 parashikohet të publikohet edhe strategjia e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, strategjia e zgjerimit që përfshin edhe pastaj Ballkanin Perëndimor dhe në këtë kontekst parashikohet reforma që do duhet të parashikonin shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe normalisht që rikonfirmohet përspektiva e këtyre shteteve drejt integrimit evropian. Si rezultat i kësaj përspektive kërkohen shumë kushte për tu plotësuar dhe është normalisht vendimtare se cili shtet deri në çfarë mase do t’i plotësojë këto kushte për të aderuar. Në shtetet e Ballkanit janë në faza të ndryshme të integrimit dhe prandaj edhe kanë sfida të caktuara, kanë kushtëzime dhe kushte të caktuara për t’i plotësuar për një faze më të vonshme”.
Rruga për në BE është e gjatë dhe për këtë duhet që të kalohen faza të shumta, por që shtetet e Ballkanit sipas saj, është paradoksale të anëtarësohen në të njëjtën kohë, ngase nuk janë në fazë të ndryshme të plotësimit të kushteve.
“Secili shtet ka për tu integruar në Bashkimin Evropian atëherë kur plotësohen të gjithë kapitujt, hapat, hapen kapitujt, negociohen, arrihen marrëveshje, plotësohen reformat e caktuara dhe mbyllen kapitujt, prandaj pa kaluar në këtë fazë e cila kërkon shumë kohë dhe vite, ndoshta dekada të tana, nuk mund të kcehet dhe të bëhet aplikimi ose të shpresohet për një anëtarësim bllok të të gjitha shteteve për shkak se nuk janë në faza të njëjta dhe është paradoksale nëse shpresojmë që këto shtete të anëtarësohen në të njëjtën kohë”.
Ndonëse thotë se Kosova e Serbia kanë ndihmuar njëra tjetër në rrugën për integrim përmes dialogut për fqinjësi të dy shtete kanë kushte të veçanta për integrim.
“Kosova i ka ndihmuar Serbisë në procesin e integrimit, por edhe Serbia i ka ndihmuar Kosovës, sepse të dyja këto shtete kanë kushtin e përbashkët të dialogimit përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do me thënë është kushti parashtruar nga BE-ja, kështu që të dyja nuk mund të ikin nga ky kusht”, sqaroi Lushaku-Sadriu.