Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve ka vizituar Rrjetin e OJQ-ve të Grave rome, ashkalike dhe egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK), ku ka dëgjuar rrëfimin e një gruaje rome, viktimë e dhunës në familje.
Ajo gjithashtu është njoftuar edhe me një tjetër histori të një vajze me nevoja të veçanta, por që është privuar nga e drejta në pjesëmarrje të projekteve në shkollën ku ka shkuar.
Apostolova tha se ndjehet mirë që gjendet në këtë ambient duke bashkëbiseduar me komunitetet që më së paku përkrahen, raporton Ekonomia Online.
“Jam shumë e privilegjuar dhe e përulur për rastin që më është dhënë të flas me juve, dua të ju përgëzoj për ditën e juaj ndërkombëtare dhe ju përgëzoj edhe për çmimin e lartë që e keni fituar çmimin për romë që është dhënë për Kosovë, dhuna në familje nuk duhet toleruar kurrë nuk është problem vetëm në Kosovë por është fenomen në tërë botën”.
Ajo tha se inkurajon të gjitha gratë e këtyre komuniteteve që të bëjnë çmos që t’i arrijnë meritat e tyre.
“Është shumë e pikëlluar se kategoritë më të ulura janë të prekur nga këto fenomene duhet përkrahje për të folur për këto tema dhe duke pasur trimëri për të folur për këto çështje i inkurajojmë femrat tjera të bëjnë të njëjtën, për këtë jam këtu me juve të ju përgëzoj për trimërinë dhe të bisedoj me juve”, tha Apostolova.
Apostolova tha se Qeveria duhet bërë edhe më shumë që t’i dal në mbrojtje dhe t’i përkrah këto komunitete.
“Së fundi Qeveria ka ndërmarrë disa hapa të mira në këtë drejtim, kjo nuk është mjaftueshëm duhet të ju thërras gjithëve bashkë të bëjmë këtë hap dhe të bëjmë presion në qeveri të bëjnë më të mirën e mundshme”, tha ajo.
“Fatkeqësisht ka shumë gra, fëmijë që gjenden në situatë të njëjtë prandaj është me rëndësi edukimi, arsimimi sepse nënat e baballarët duhet të i mësojnë për atë se çka është respekti në familje, fëmijët nga vegjëlia duhet marrin shembull prindërit se si duhet të sillen kur të rriten për këtë për ne arsimimi është prioritet dhe këto sjellje janë mosrespekt i grave e familjeve”.
Apostolva u premtoi se BE-ja do të vazhdojë t’i përkrah dhe që femrat e reja rome të arsimohen.
“Propozoj të bashkiheni dhe të bëni jetën e grave rome më të mirë në Kosovë”, shtoi ajo.
Florije Mumini, nga komuna e Gjilanit të komunitetit rom, ka treguar para Apostolovës historinë e saj të dhunës në familje. Duke shtuar se nuk do të lejojë të ndodh më.
“Si pjesëtare e komunitetit rom unë nuk kam qenë e integruar në shoqëri, nuk u kam besuar insitucioneve, nuk kam menduar se mund të jem grua e fortë, isha e shkelur në familje e shoqëri nuk e qmoja as vetën time mendoja se unë kam lindur ta kem një fat të tillë, edhe pse unë u martova me dëshirë dhe mendoja se si grua duhesha të laj, fahi në shtëpi pra jeta ime të i shërbej të tjerve dhe nuk ndjeja që jam e gjallë”, tregoi Mumini.
“Kur takova Shpresën rome si unë më tha nuk duhet ta durosh dhunën dhe më bindi se edhe nëse jam rome nuk duhet të duroj, pastaj fillova të i kuptoj gjërat ndryshe, kam zgjedhur problemin e dhunës edhe pse ne mbesim shumë të cenuara brenda komunitetit unë vazhdoj të mos kem kulm mbi shtëpi, përkundur gjitha vështirësive ekonomike unë arrita që në familjen time të jem pa dhunë”, shtoi ajo.
Elza Bojku po ashtu ka treguar historinë e saj ku nuk është përkrahur nga askush për faktin se është me nevoja të veçanta.
Ajo tha se në shkollën ku kishte qenë gjithnjë e kishin neglizhuar në pjesëmarrjen e saj në projekte të ndryshme.
“Në projektet që ata zhvillonin mua nuk mu lejua të merrja pjesë në projekt për faktin se jam ndryshe nga ta”, tha ajo.
“Gjimnazi në Pejë më ka përkrah dhe aty kam pa se çka d.m.th me pas një shoqe, e njerëzit është pse janë ndryshe të kuptojnë ty dhe të përkrahin dhe nuk të neglizhojnë, donë që zëri yt me u dëgjuar”, shtoi Bojku.
Ajo tha se rruga në fillim do të jetë e vështirë, por duhet gjetur një derë për të trokitur ku i jepet mundësia secilit të bëj më të mirën e mundshme.
Shpresa Agushi, drejtore ekzekutive e RrOGRAEK, tha se ka qenë e nderuar me çmimin që ka marrë nga Këshilli i Evropës për punën që ka bërë në komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali.
“Unë si pjesëtare e komunitetit rom ju falënderojmë shumë për mundësitë që na ofruat të jemi pjesë e çmimit të parë nga Këshilli Evropian për punën që bëj për komunitetin romë gjë që më ka bërë të punoj më shumë dhe më ka dhënë vullnet dhe shumë gra e vajza që punojnë nga komuniteti romë, janë ndjerë mirë për vlerësimin e punës time sepse për herë të parë jepet një çmim për një grua rome për punën e saj dhe kjo ka shumë rëndësi për mua”, tha Agushi.
Ajo tha se 95% e stafit në këtë rrjet janë nga komunitetet të ndryshme.
“Unë fillova e vetme dhe arrita ta bëj këtë organizatë ku 95% e stafit i takon këtyre komuniteteve, pjesa tjetër i takon shqiptarëve, misioni ynë është e drejta e grave dhe barazia gjinore, ne kemi gra dhe aktiviste të reja, jemi i vetmi rrjet qe mbledhim gra të këtyre komuniteteve, bisedojmë për sfidat tona që të arrijmë qëllimin dhe pozitën më të mirë për këto gra të këtyre komuniteteve”, tha ajo.
“Me stafin tonë kemi persona me aftësi të kufizuar që nuk ka asnjë organeve tjetër e shoqërisë civile në Kosovë”, shtoi ajo.
Agushi tha se kanë nevojë për përkrahje më të mëdha në mënyrë që të punohet më shumë për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, raporton Ekonomia Online.
“Kemi nevojë për përkrahje edhe më të madhe për të punuar për të drejtat e grave dhe shumë. Në familje duhet kohë e gjatë, duhet komunitetin ta vetdijesojmë se çka është dhuna, komuniteti nuk e dinte se çka është ne kemi biseduar me mënyrën me të thjeshtë të dialektit qe përdorin duke shpjeguar çka është dhuna, cilat janë mënyrat, ai të raportohet, si mund ta ndihmojmë ne etj”, tha Agushi.
Agushti tha se edhe këto komunitete kanë njerëz të shkolluar, por duhet tu jepet mundësia e punësimit.