Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka vazhduar takimet me përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka takuar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Apostolova ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të jenë një opozitë konstruktive në mënyrë që zhvillimet demokratike të ecin përpara.
Ajo ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Sipas saj duhet që të gjithë të jenë pjesë të përfshihen të dialog me shtetin fqinjë, ngase kjo është rrugë për në BE, raporton EO.
“Duhet të përfshihen të gjithë në dialog, por këto nuk mund të bëhen brenda natës andaj dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm sepse është një urë e rëndësishme për krijimin e marrëdhënieve miqësore, por edhe për rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka njoftuar Apostolovën me problemet që përballet Kosova në procesin e integrimeve evropiane duke thënë se një nga problemet është edhe mosnjohja e Kosovës si shtet, raporton Ekonomia Online.
Konjufca gjithashtu ka thënë se nuk është në rregull që opozita të mos merret parasysh sa i përket katër çështjeve që sipas tij janë të rëndësishme për Kosovës: Gjykata Speciale, demarkacioni, asociacioni i komunave shumicë serbe dhe dialogu me Serbinë.
Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka shprehur shqetësimin për funksionimin e Kuvendit.
Haxhiu ka thënë se komisioni për Legjislacion që do të udhëheq prioritet do të ketë ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.
Ajo gjithashtu ka siguruar Apostolovën që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë një opozitë e fuqishme në Kuvend mirëpo do të jetë edhe bashkëpunuar në proceset e rëndësishme për Kosovës, siç ishte edhe marrëveshja e fundit e IPA-së.