Nuk është hera e parë që Shpëtim Hajdaraj ka dëgjuar e lexuar rrëfimin e Shkumbin Mehmetit për vrasjen e të atit të tij, Smajl Hajdarajt, të vrarë më 17 janar të vitit 2002, në hyrje të banesës së tij në Pejë.
Sipas tij, ato që Mehmeti i kishte rrëfyer në gushtin e 2013-s për “Kohën Ditore”, e të cilat i rrëfeu edhe mbrëmë në Klan Kosova, për familjen Hajdaraj janë të vërteta.
Shpëtimi thotë se i ati u vra nga eksponentë politikë, por është indinjuar nga shteti dhe drejtësia, e cila kurrë nuk zbardhi rastin e tij, pavarësisht dëshmive që i kishin në duar.
Edhe familjet e Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt dhe Jusuf Haklajt thonë se janë tronditur nga deklarimet e dëshmitarit Mehmeti dhe nga mosveprimi i zyrtarëve shtetërorë ndaj tyre.
“Familjet tona e ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar. Pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit”, thuhet në deklaratën e familjeve Zemaj, Tolaj dhe Haklaj
Kohavisioni ka pyetur Policinë e Kosovë dhe Prokurorinë e Shtetit për mosveprimin, pavarësisht faktit që u janë ofruar dëshmi, por as njëra e as tjetra nuk janë përgjigjur.
Mehmeti deklaroi se ata që organizuan vrasjet e eksponentëve politikë të LDK-së, në mesin e të cilëve edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt dhe Tahir Zemajt, ishin vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi.
Por akuza të vjetruara i ka cilësuar Ibrahim Kelmendi, këto.
Në një intervistë me shkrim për Kohavisionin, ai ka thënë se Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin.
“Dyshoj se po komandohet dhe po shpërdorohet përmes kuadrove policore, që janë në shërbim të Xhavit Halitit e Hashim Thaçit, respektivisht Serbisë”.
Por Kelmendi thotë se gjithmonë ka qenë kundër vrasjes së shqiptarëve, sepse po të kishte mendësi ushtarake, Zemajn do ta vriste gjatë luftës.
“Për vrasjen e Tahir Zemajt, po të kisha pasur mendësi profesionale ushtarake, do ta kisha vrarë gjatë luftës, për ta penguar diversionin e tij kundër luftës çlirimtare, por nuk e kam pasur atë mendësi. Ndërsa për herë kam qenë kundër vrasjeve klandestine të shqiptarëve, me mendim se ato dëmtojnë luftën çlirimtare dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës dhe jo se më janë dhimbsur kriminelë të rangut Tahir Zemaj. Për bindjen time të atëhershme dhe të tanishme, ato vrasje duhet t’i ketë bërë shërbimi përkatës i Serbisë”, ka deklaruar Kelmendi për KTV-në
Por Shpëtim Hajdaraj thotë të jetë kureshtar se kush qëndron prapa emrave të fshehur, pasi sipas tij, këta tashmë i dinë.
Ndërkohë, drejtori i televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, i ka thënë KTV-së se janë shfaqur vetëm emrat e atyre personave të cilët Mehmeti i ka takuar personalisht.
Madje, Haxhiu ka thënë se ai personalisht nuk është autor i atij emisioni.