Aprovohet kërkesa e Ministrisë së Financave për kursime dhe ndarje në shumë mbi 19 milionë euro

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës, të hënën e 14 nëntorit ka zhvilluar një mbledhje, në të cilën është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave për kursime dhe ndarje në shumë prej mbi 19 milionë euro.

Kështu është bërë e ditur në njoftim nga zyra e kryeministrit, ku thuhet se këto mjete janë kursyer nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria  e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, në shumën prej 19 milionë e 150 mijë e 34 euro”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 21 tetor kishte mbajtur mbledhje elektronike, ku i ka miratuar dy vendime për ndarjen e 19 milionë eurove, në kuadër të Pakos për Ringjalle Ekonomike.

Pesë milionë euro, Qeveria e Kosovës i ka ndarë në mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike.

“Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e 101-të të Qeverisë, janë ndarë pesë milionë euro (5.000.000,00 €) për zbatimin e masës 3.7 Mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

14 milionë euro janë ndarë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, për likuiditetin familjar.

Të ngjashme