Aprovohet superekspertiza në gjykimin e Shefit të Zyrës së Prokurimit në Prizren

Prishtinë | 04 Mar 2021 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore ne Prizren te enjten e ka aprovuar kërkesën e prokurores Ervehe Gashi, që të bëhet edhe një superekspertizë për rastin e shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një kërkesë të tillë, prokurorja e bëri pasi që kishte vërejtje në ekspertizën e ekspertit Besim Mulaj i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Osmankaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa këtë propozim e ka kundërshtuar mbrojtësi e të akuzuarit Osmankaj, avokati Skender Morina, i cili tha se ekspertiza e ekspertit Mulaj, i propozuar nga mbrojtja është ekspertizë e pamvarur, ndërsa ekspertiza e parë e Prokurorisë e bërë nga eksperti Agim Sheqiri, e kanë kundërshtuar qysh në fillim pasi që ekziston konflikti i interesit, pasi që i njëjti në faza të caktuara vendos edhe për ankesat në OSHP.

Osmankaj akuzohet se më 19 qershor 2017, ka bërë njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga OSHP-ja, dhe se me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim për t’i shmangur ankesat e operatorëve jo fitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Në seancën e së enjtes, eksperti Mulaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Skender Morina, deklaroi se OSHP, nuk ka pasur mundësi t’i shkaktojë dëm Operatorit Ekonomik “Limit & Boja & Drini”

“Kompetencat e Oshp-së janë që pas ankesës të ndonjë operatori ekonomik të shqyrtoj procedurat e prokurimit se a janë zhvilluar në harmoni me dispozitat ligjore, në rastin konkret unë kam parë se OSHP, operatorin ekonomik “Limit &Boja &Drini” e ka shpallur si operatorë ekonomik të papërgjegjshëm pasi që nuk janë plotësuar kushtet në dosjen e tenderit. Në rastin konkret nuk ka pasur mundësi që OSHP, ti shkaktoj dëm operatorit ekonomik.”, ka deklaruar eksperti Mulaj.

Ai tha se nëqoftëse operatori ekonomik ka menduar se i janë shkelur të drejtat e tij nga OSHP, me vendimin përfundimtar, ata kanë pasur mundësi ti drejtohen gjykatës kompetente administrative në Prishtinë, dhe sipas tij, në përgjithësi nuk kemi ndonjë dëm të shkaktuar ndaj ndonjë operatori ekonomik në këtë rast.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen prokurores Gashi, eksperti ka deklaruar se kontrata e cila ka qenë nule Komuna e Prizrenit nuk ka pasur obligim ta zbatojë.

Sipas ekspertit shefi i zyrës së prokurimit nuk ka të drejtë të kërkojë ekzekutimin e kontratës, një gjë të tillë ka të drejtë ta bëjë Njësia e Kërkesës, apo Zyrtari Kryesor Financiar.

Ndërsa, i akuzuari Osmankaj ka kërkuar nga eksperti të tregojë se në gjithë dokumentacionin e kësaj lënde a ka hasur ndokund që ai ka kërkuar që të zbatohet kontrata nule, ndërsa eksperti e ka mohuar një gjë të tillë.

Seanca e së enjtes, ka filluar rishtas pasi që sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Ajser Skenderi, nga seanca e fundit kanë kaluar mbi tre muaj.

Palët kanë qëndruar pranë fjalëve hyrëse të dhënë me 28 janar 2020, si dhe është bërë leximi i deklaratave të dëshmitarëve dhe ekspertit Agim Sheqiri.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Skenderi, seanca e radhës për këtë rast do të caktohet pasi që të përfundojë superekspertiza.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga PSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast PSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bënë njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga PSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jo fitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI & BOJA & DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OPSH-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të KPRK-së. (Betimi për Drejtësi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme