Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Gjakovës, Arbënesha Kuqi përmes një video-adresimi ka shpalosur planprogramin e saj për katër vitet e ardhshme, për një Gjakovë të rimëkëmbur, të zhvilluar e bashkëkohore.
Kuqi duke iu drejtuar qytetarëve të Gjakovës është shprehur se ky qytet është identitet, histori, kulturë dhe themel i shumë zhvillimeve politike e shoqërore, prandaj qytetarëve të tij iu duhet një komunë që ofron zhvillimin e ekonomisë, ndërmarrësisë, arsimit, sportit e kulturës.
“Plani im bazohet në 6 shtylla: qeverisje e mirë, e hapur, transparente e llogaridhënëse; zhvillim dhe përkushtim për një arsim cilësor e shpërblyes; zhvillim ekonomik dhe zgjerim të potencialit investues; shëndetësi cilësore dhe në shërbim të gjithë qytetarëve, zhvillim i sportit, artit dhe kulturës; shërbime publike efikase në çdo vendbanim, fshat e lagje. Mbi këto pika që para se të jenë prioritet i imi, janë prioritet dhe nevojë e qytetarëve, do të zhvillojmë e do ta shohim në vepër, një Gjakovë të transformuar e të zhvilluar ekonomikisht. “, tha ajo.
Kuqi u zotua se 60% e kabinetit të saj si kryetare do të përbëhet nga gratë, do të ofrojë transparencë të plotë financiare dhe publikim të të gjitha shpenzimeve, digjitalizim të mëtejmë të shërbimeve administrative, digjitalizim të arsimit, dyfishim të numrit të përfituesve të bursave studentore nga 100 në 200, zgjidhjen e qëndrueshme të problemit të ujit të pijes, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjetit të ujerave të zeza si dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore.
“Gjatë mandatit tim do të ndërtojmë numër të mjaftueshëm të çerdheve me bazë në komunitet, sipas kërkesës së qytetarëve dhe nevojës së tyre. Kjo është nevojë dhe kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve të Gjakovës. Sot e tutje, është premtim dhe zotim i imi i hapur. Do kemi plan për klasat e bashkangjitura, dhe fond të veçantë për HENDIKOS. Do të organizojmë mësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, përfshirë transportin dhe shujtat për ta. Ngjashëm do organizojmë transportin për të gjithë nxënësit që udhëtojnë, kudo që është e nevojshme, në çdo zonë brenda komunës tonë.”, tha Kuqi.
Kuqi premtoi subvencionim transparent të granteve për bizneset Start-Up dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, sidomos për ato që punësojnë te rinjtë dhe gratë, themelimin e Qendrës për Zhvillimin e Ndërmarrësisë, subvencione për bujqit, si dhe ngritje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet duke i aktivizuar të gjitha pikat e ambulantave që gjenden në vendbanime rurale dhe mbështetje të stafit shëndetësor për avancim në karrierë.
“Do të përkrahim financiarisht fëmijët që vuajnë nga diabeti, si dhe do mbështesim financiarisht familjet që janë prekur dhe kanë mbetur pa kryefamiljar e pa të ardhura gjatë kësaj periudhe pandemie nga virusi COVID 19. Kur jemi tek dimensioni social, në planin tim zë vend edhe një ndërtesë banimi për familjet që nuk kanë të ardhura tjera përveç ndihmave sociale, si dhe për nënat vetushqyese.”, tha ajo.
Që në muajt e parë të qeverisjes se Gjakovës nga Arbënesha Kuqi do të themelohet Hapësira Multi-Dimensionale për të rinjtë e qytetit që kanë interes për aktivitete kulturore, do të organizohet Qendrës Rinore, do të fillojë ndërtimi i infrastrukturës rekreative dhe sportive, do të themelohet një fond për gratë që merren me zeje dhe përpunimin artizanal, për të stimuluar ruajtjen e traditës dhe identitetit të qytetit tonë, si dhe do të fillojë ndërtimi i Muzeut të Kujtesës, në të cilin do dokumentohet e arkivohet rezistenca dhe sakrifica për liri e pavarësi e Gjakovës.
“Për një Gjakovë funksionale, të rimëkëmbur, të hapur e të zhvilluar, ku identiteti dhe perspektiva rrugëtojnë së bashku; për një qeverisje të mirë, transparente e të ligjshme; për mundësi të barabarta e integritet në qeverisje kërkoj mbështetjen tuaj të plotë. Ky është zotimi im për qytetarin e Gjakovës. Shërbimi ndaj jush, do jetë nderi i jetës time politike. Prandaj me 17 tetor, ju ftoj që të jemi të gjithë Bashkë për Gjakovën.”, tha Kuqi në video-adresimin e saj.