Nëpërmes skemës së granteve, të menaxhuar nga Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal, për zhvillimin e sektorit privat, financuar nga BE-ja, janë ndihmuar 110 biznese dhe janë krijuar 259 vende pune në grandë skemë.
Kështu u tha në ceremoninë përmbyllëse të dhënies së granteve, e organizuar nga ARDA, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefja e ARDA-s, Mrikë Macula, prezantoi rezultatet e projektit 3-vjeçar. Ajo ka theksuar se grand skema është mbështetur nga zyra e Komisionit Evropian me 1 milion euro. Në këtë grand skemë, sipas saj, kanë aplikuar 2 mijë e 332 aplikues.
“Janë krijuar 259 vende të reja të punës. 12 përqind të tyre kanë krijuar vende të reja të punës, janë edhe nga komunitetet, serb dhe RAE. 59 përqind janë të rinj. Rrejti i ARDA-s ka mbështetur 50 investitor në Kosovë. Sa i përket planit të biznesit më të mire kanë qenë 321 pjesëmarrës, përfitues të këtij granti janë 5 të rinj”.
Macula njoftoi se ARDA ka krijuar dhe zhvilluar 264 biznese gjatë këtij mandati 3-vjeçar.
“Ne bashkëpunimin me Qeverinë, kemi aplikuar grant skenën, e cila ka qenë 1.4 milionë euro. ARDA ka organizuar tri panaire dimërore ku janë promovuar rreth 70 biznese çdo vit, të hyrat e krijuara nga bizneset kanë qenë 55 mijë euro në vit”, tha Macula.
Ajo bëri të ditur se në kuadër të ARDA-s kanë promovuar venat e Kosovës në Amerikë.
Alban Haziri nga Mitrovica, njëri nga përfituesit e skemës së granteve të Zhvillimit të Sektorit Privat, tha se ka aplikuar me një ide që ka të bëjë me pajisje elektro-shtëpiake dhe se në fillim kishte pasur pak shpresa se do të ishte fitues i grantit.
Pas pranimit të pajisjeve, Haziri ka thënë se rezultatet në punën e tij kanë qenë të jashtëzakonshme.
“Me atë grant e kam arritur elementin e rëndësishëm, ajo është koha. Nëse një punë e kam bërë për 4 orë, me pajisjet e ARDA-s e kam shkurtuar kohën deri në dy herë. Sot jam përfitues i një tjetër granti nga Qeveria e Kosovës, për shkak të punës së mirë që kam bërë me këtë projekt”, theksoi Haziri.
Përfituesi tjetër i kësaj skeme, Edin Sylka, nga kompania për prodhimin e rrjetave metalike “Sylka” tha se nga projekti i ARDA-s kanë përfituar një kabinë për ngjyrosjen e rrjetave dhe një kabinë për pjekjen e ngjyrës.
Sylka bëri të ditur se si rezultat i këtij projekti kanë nënshkruar një marrëveshje për të eksportuar prodhimet e tyre në Danimarkë.
“Javën e kaluar kemi bërë një marrëveshje me një kompani për me filluar eksportin në Danimarkë. Kjo është si rrjedhojë e projektit të ARDA-s”, ka deklaruar Sylka.
Gjatë kësaj ceremonie, ARDA, po ashtu, ka ndarë 5 çmime prej 1.000 euro për fituesit e “Garës për Biznes Planin më të mirë për të rinjtë” nga secili rajon ekonomik i Kosovës.
Përfituesit e këtyre çmimeve ishin: Driton Gashi, Alba Ramadani, Doruntina Jashari, Rozafa Imami, Elma Ahmeti. Ky projekt është financuar nga Komisioni Evropian, raporton Ekonomia Online.