Mesfushori i Barcelonës, Arda Turan, pritet të udhëheqë në fushë Turqinë në ndeshjen ndaj Kosovës, që zhvillohet më 11 qershor (20:45) në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Përzgjedhësi i Turqisë, Fatir Terim, të enjten ka publikuar listën me emrat e futbollistëve në të cilët llogarit për takimin e vlefshëm për eliminatoret e botërorit të futbollit “Rusia 2018”, shkruan sot Koha Ditore.
Terim ka ftuar plot 30 futbollistë që do të konkurrojnë për dy ndeshjet e ardhshme të Turqisë. Turqia më 5 qershor në Shkup luan miqësore me Maqedoninë, ndërsa më 11 qershor do të jetë përballë të përzgjedhurve të Albert Bunjakit.
Turan është pjesë e listës së Terimit. Me 96 paraqitje, 30-vjeçari është bindshëm lojtari me përvojën më të madhe tek ekipi aktual i Turqisë. Turan ka debutuar te Turqia në gusht të vitit 2006, ndërsa i ka edhe 17 gola të realizuar. Më herët se ai kanë debutuar Burak Yilmaz që në 48 ndeshje ka 22 gola dhe Caner Erkin që ka dy gola në 51 ndeshje.