Arena ku mbahet “US Open” do të kthehet në spital të përkohshëm

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Një pjesë e stadiumeve në Queens, ku mbahet turneu Grand Slam i tenisit “US Open”,do të transformohet në spital të përkohshëm për të ndihmuar luftën kundër koronavirusit, njoftojnë mediumet amerikane.

Fusha stërvitore e mbyllur në qendrën nacionale te tenisit “Billie Jean King”, do të transformohet në spital me 350 shtretër duke nisur nga sot, ka thënë zëdhënësi i Asociacionit të Tenisit të SHBA-së, Chris Widmaier.

Ky vend me gjasë do të përdoret për të trajtuar pacientët që janë pa koronavirus, në mënyrë që të lirohen hapësirat në spitale, mirëpo mund të ndryshohet bazuar në nevojën, është thënë nga zyra e menaxhimit të emergjencës në New York.

Infrastruktura e stadiumit “Louis Armstrong” do të kthehet në depo ushqimore, ku do të përgatiten 25 mijë pako ushqimore çdo ditë për pacientët me koronavirus, për punëtorët shëndetësor, për fëmijët në shkolla publike dhe të tjerët që kanë nevojë.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe nëse infrastruktura jonë në Queens kthehet për të ndihmuar qytetarët e New Yorkut, atëherë të gjithë jemi për këtë”, ka thënë Widmaier.

Të ngjashme