(Pjesë nga kumtesa e prezentuar sot në konferencen shkencore të ASHAK dhe ASHSH)
Fushata e bombardimeve ajrore të NATO-s zgjati nga 22 mars deri 11 qershor 1999, ku u perfshin diku rreth 1,000 avionë që kane operuar kryesisht nga bazat në Itali dhe nga anijet detare luftarake dhe transportuse avionësh të vendosur në Detin Adriatik. Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë qenë të përfshirë në një farë mase në këtë intervenim te NATO-se, edhe Greqia, pavarësisht kundërshtimit të saj publik ndaj ketyre sulmeve. Gjatë dhjetë javë të konfliktit, aeroplanët e NATO-s fluturuan dhe realizuan mbi 38.000 misione luftarake. Për Forcat Ajrore Gjermane (Luftëaffe), kjo ishte hera e parë që kishin marrë pjesë në një konflikt që prej Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e përbashkët e UÇK-së dhe e NATO-s rezultoi me çlirimin e territorit të Kosovës dhe largimin e plotë të forcave policore militare dhe paramilitare dhe atyre ushtarake, si dhe me largimin nga Kosova të administratës së dhunshme civile të Serbisë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë para së gjithash ishte i një natyre humanitare, por i njëjti duhet shikuar edhe në kontekstin gjeopolitik. Në historikun e NATO-s rasti i intervenimit të Kosovës është i një relevance të jashtëzakonshme si në aspektin dinamik, po ashtu edhe në kuptim të pozicionimeve të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Ishte intervenim historik për NATO-n edhe për nga forma, natyra dhe gjeografia, si dhe aspekti kohor, meqë ndodhi për herë në parë që nga ekzistimi i Aleancës duke qenë kështu intervenim i parë ushtarak i saj. Ky intervenim ndodhi vetëm disa javë para shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Aleancës Veri-Atlantike.
Ndërkohë që duke ndodhur në kapërcim mes dy shekujve shërbeu si rast unik në konceptualizimin e politikave të shekullit XXI të NATO-s. Me intervenimin në Kosovë NATO shkoi përtej misionit të vet të Luftës së Ftohtë. Kështu që intervenimi në fjalë mund të konsiderohet se ka krijuar një profil të ri për NATO-n në kuptim të rolit, kapaciteteve dhe misionit të vet të ardhshëm evolues.
Nëpërmjet intervenimit në Kosovë në 50-vjetorin e vet Aleanca ia arriti që të jep një mesazh të fuqishëm në kuptim të natyrës së intervenimit humanitar përballë pengesave të së drejtës ndërkombëtare. Me këtë u dha mesazhi për potencialin e NATO-s në shekullin XXI në kuptim të rreshtimit të forcave në sistemin e sigurisë globale.
Fillimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë hapi debatet në lidhje me legalitetin, shkaqet dhe qëllimet e luftës, efektivitetin e fushatës së NATO-s, si dhe çështjet e tjera që lidheshin me promovimin e një doktrine të re ushtarake dhe me krijimin e rendit të ri ndërkombëtar. Këto debate dhe polemika buronin në faktin se ky ishte aksioni i parë ushtarak që ndërmori NATO-ja në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare pa mandatin formal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër një shteti sovran dhe përmasat e tij ishin shumë më të mëdha se ato të ndërmarra në Bosnjë, e cila çoi në përfundimin e luftës dhe arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit më 1995.
NATO-ja e nisi fushatën ajrore me qëllim që të parandalonte një katastrofë humanitare: vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës, si dhe të ruante sigurinë rajonale duke i imponuar Beogradit planin e paqes për Kosovën në Rambuje.
Fillimi i bombardimeve të NATO-s, si dhe lufta çlirimtare që bënte UÇK-ja, ndikuan që Serbia, e përballur me humbjen e luftës, të fillojë aksione ndëshkuese ndaj popullsisë civile duke masakruar dhe me qindra civilë, fëmijë, gra dhe pleq dhe duke ushtruar një gjenocid të paparë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Më të filluar bombardimet nga NATO-ja, Serbia filloi implementimin e planit të përgatitur më parë në qarqet e saja kuazishkencore për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer gjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri.
Doktrina e intervenimit humanitar bazohet në të drejtën ndërkombëtare moderne, të reformuar, që deplason teorinë e sovranitetit absolut shteteror, parandalon shtetet të kryejnë gjenocid, spastrim etnik dhe krime të rënda kundër njerëzimit.