Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës kanë dëshirë të kamotshme bashkimin e kësaj pjese me Kosovën. Ndonëse ëndërr e shqiptarëve, bashkimi me Kosovën, për kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk duhet të bëhet nëse ndodhë shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vullneti politik i Preshevës për t’u bashkangjitur me Kosovën qëndron që nga referendumi që u mbajt në vitin 1992. Ky bashkim për Arifin mund të ndodhë nëse plotësohen tri kushte.
“1. Të mos parcalizohemi, mos të mbesim pjesë e luginës në Serbi dhe tjetra të vjen me Kosovë. 2 Të mos bëjmë ndryshim territoresh domethënë shkëmbim territoresh të mos shkojë veriu me Serbi dhe Presheva të bashkëngjitet me Kosovë dhe 3. Pa i cenuar në asnjë moment marrëdhëniet tona me miqtë tonë ndërkombëtarë. Në qoftë se këto 3 kushte plotësohen atëherë gjithçka është e mundshme”, tha Arifi.
Arifi ka thënë se të drejtat që i kanë serbët ne Kosovë, nuk mund të krahasohen me ato të shqiptarëve në Serbi. Sipas tij, shqiptarët e Serbisë nuk kanë fuqi politike siç kanë serbët në Kosovë.
“Të drejtat të cilët i posedojnë serbët janë të drejta të cilët asnjë minoritet në gjithë rajonin ballkanik nuk i posedojnë, të gjitha këto të drejta ne mundemi me i pa vetëm në ëndërr në Serbi. Kjo është edhe kërkesa jonë minimale në qoftë se bashkimi nuk realizohet atëherë principi i reciprocitetit të vlejë edhe për shqiptarët e luginës së Preshevës. Të drejtat të cilat i kanë serbët në Republikën e Kosovës, të cilët janë pjesë e kushtetutës me të cilën pa 2 të 3-ten e minoriteteve pra të serbeve, nuk mund të ndryshohet as kushtetuta me vende të garantuara në parlamentin e Serbisë. të drejtat e njëjta ti kemi edhe ne”, tha ai për Ekonomia Online.
Mosgarantimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë, sipas Arifit, ka ardhur nga mungesa e fuqisë politike. Ai pohon se Serbia e ka fuqinë dhe i është dhënë edhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës.
“Nuk mundem me i pas ministrat tonë, ti kemi drejtorët nëpër polici etj… me qenë sekretar shtetëror, me qenë ministra të cilët na takojnë neve si shqiptarë në Republikën e Serbisë, pa pas fuqi politike. Arsyeja se pse serbët këtu në Kosovë i kanë ministrat, i kanë zv. ministrat, kanë deputetët, është për shaka të fuqisë së tyre politike se ju është dhënë me kushtetutë e kjo është ajo që e kemi si kërkesë minimale në qoftë se nuk bashkangjitemi edhe qeveria e Serbisë qe të na jep edhe neve fuqi politike ashtu siç e kërkon për serbët në Kosovë”, u shpreh Arifi.
Ndonëse ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën, është parë me skepticizëm, për kreun e Preshevës, ka thënë se kjo është e mundur. Por sipas tij, duhet të analizohen qëndrimet e ndërkombëtarëve.
“Është vetëm çështje e kompromisit, është vetëm gjëja se si zhvillohen gjërat, por kjo temë të cilën në vitin e kaluar kemi filluar, është një temë komplekse në të cilën duhet me e ndërlidhë edhe kontekstin rajonal, por edhe atë evropian ku jemi tash në zgjedhjet e bashkimit evropian edhe duhet ti marrim në analizë edhe qëndrimet e ndryshme të miqve tonë ndërkombëtar por edhe të politikës imtime këtu në Kosovë”, tha ai për Ekonomia Online.
Arifi theksoi se Qeveria dhe Ekipi Negociator i Kosovës në bisedimet në Bruksel, kanë premtuar se Presheva të ketë një përfaqësues në këtë ekip, por deri tani nuk ka asnjë hap konkret.
“Po ne kemi kërkuar që jetë një përfaqësues i Preshevës, pjesë e ekipit negociator, por jo unë personalisht. Thjeshtë një person që zgjedhet nga lidershipi ynë për me qenë pjesë në ekipin negociator, deri më tani edhe pse është suspenduar nuk kemi një “fitback” nga ekipi negociator por edhe nga qeveria kështu që vazhdojmë të presim”, tha kreu i Preshevës.
Për më tepër, Arifi shtoi se problemet më të shpeshta të cilat ballafaqohen shqiptarët e Serbisë janë tekstet shkollore, vjetërsia e tyre dhe mungesa e investitorëve të huaj në qytetet e banuara me shqiptarë.
“Ne ende nuk e kemi të drejtën e përdorimit të flamurit Kombëtar, ne ende nuk kemi tekste shkollore, ende ç’regjistrohemi si qytetarë nga komunat tona në vazhdimësi qe sa vite nuk kemi tekste shkollore, nuk kemi asnjë lloj investimi në aspektin ekonomik por edhe në aspektin e infrastrukturës në shkollat tona nga qeveria Serbe edhe pse vetëm 3 janë rinovuar por këta janë vetëm 3 nga 16 qe nuk janë të rinovuar. Nuk kemi asnjë investitorë të huaj të cilët janë shpërndarë në gjithë Serbinë por nuk kanë ardhur as ne Preshevë, as në Bujanoc, as në Medvegjë”, tha ai.
Arifi pret momentin që shqiptarët e Preshevës të forcohen politikisht. Kur kjo të ndodhë, sipas Arifit, atëherë do të mund të shihen ndryshimet të cilat do të ndikojnë direkt në mirëqenien e banorëve të kësaj ane.