Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me pretendimet për koordinimin e profilit “Lule Gjeli” nga persona që veprojnë brenda Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Arifi ka deklaruar se, nëse këto pretendime konfirmohen, atëherë, sipas tij, dëshmohet ajo që një pjesë e qytetarëve e kanë besuar prej kohësh, se propaganda, manipulimi, linçimi, shpifjet dhe krijimi i narrativave të rreme gjatë pothuajse një dekade nuk kanë qenë spontane.
Sipas tij, nëse vërtetohet një koordinim i tillë, atëherë bëhet fjalë për një “luftë hibride” të organizuar ndaj qytetarëve të Kosovës.
“VV e ka të organizuar një luftë hibride ndaj qytetarëve të Kosovës, me qëllim të shpëlarjes së trurit, deformimit të debatit publik dhe paraqitjes së të pavërtetës si të vërtetë”, ka shkruar Arifi.
Ai ka shtuar se, nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, një praktikë e tillë do të përbënte një nga format më të rënda të manipulimit politik që, sipas tij, ka njohur Kosova pas luftës.