Shefi delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.
Raporti i tij kishte për temë Platformën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
Arifi tha se po synojnë që dialogu të jetë proces gjithëpërfshirës dhe se në takimin e radhës më 26 të këtij muaji do të diskutohet për marrëveshjet e pazbatuar deri më tani.
“Do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura por që ka ngecje në implementim. Nëse e shihni pasqyrën do ta shihni që Kosova i ka kryer obligimet e saja. Ne si grup konsiderojmë që duhet të bisedojmë për të gjitha”.
Arifi ka propozuar që në delegacionin kosovar të ketë edhe përfaqësues nga partitë parlamentare.
“Ne synojmë arritjen e dialogut, po synojmë që si prioritet qe buron nga platformat dhe parimet e dialogut po synojmë të kemi zbatueshmëri për secilën pikë veç e veç. Unë propozoj që të ketë përfaqësim nga grupet parlamentare në dialog”.
Këto komente ai i bëri pas u pyet nga Kryetarja e komisionit Vjosa Osmani, për platformën e qeverisë për dialogun dy palësh.
“Takimi i radhës në Bruksel do të mbahet me 26 shkurt. Duam të na tregoni se cila është platforma e tanishme për dialogun sepse qeveria duhet të ketë një planë konkret në agjendë dhe vijat e kuqe të cilat Kosova asesi nuk duhet të diskutojë me Serbinë. Duam të dimë se cili është plani juaj. Ajo tha që kuvendi duhet të jetë i njoftuar për marrëveshjet që diskutohen dhe nënshkruhen në Bruksel”.
Arifi më tej shtoi se nuk do të diskutohen tema të reja pa u zbatuar të vjetrat e pa u bë njohje reciproke në mes dy shteteve.
“Nuk do të ketë marrëveshje të reja pa u arritur marrëveshjet e vjetra dhe njohja reciproke. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi dhe ky normalizim nuk mund të ndodhë pa njohje reciproke”.
Kur foli për asociacionin tha se Qeveria nuk e pranon asesi marrëveshjen me shkelje kushtetuese.
“Sa herë që kemi takime në Bruksel jemi të gatshëm të takohemi me ju. Nuk po shkojmë në Bruksel për çështje të reja por për çështjet e ekzistuese. Kjo qeveri nuk e pranon asociacion i cili përmban shkelje kushtetuese”.
“U takon institucioneve që të kontrollojnë për shkelej. Asociacioni është marrëveshje, dhe çdo marrëveshje duhet të implementohet. Asociacioni ka parapa që paraprakisht të konsultohet gjykata kushtetuese, mirëpo kjo e tejkalon mandatin qe unë e udhëheq”.
Deputeti i Zafir Berisha, tha se bisedimet me Serbinë janë anti-kushtetuese. Sipas tij, dialogu është dështimi më i madh i Kosovës së pas luftës.
“Jeni hy në ujëra të turbullta, bisedimet nuk janë teknike janë politike. Komplet bisedimet dhe marrëveshjet janë antikushtetuese, një nga tonë është marrëveshje për drejtësinë, të gjitha këto marrëveshje duhet të interpretohen nga gjykata. Pse duhet të bisedohet për urën në Mitrovicë më Beogradin. Bisedimet janë gabimi më trashanik që janë bë. E dimë që në 2017 e kemi nxjerr një rezolutë ku kemi kërkuar që Serbia të heq te gjitha fletë-arrestet”.