Jusaj: Në Kosovë mund të bëhet biznes

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 08:29 | Nga Katrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Infrastruktura ligjore në Kosovë për të bërë biznes është e mirë, por duhet të implementohen ligjet dhe standardet të cilat veç janë në fuqi.

Kështu thotë Shkëlzen Jusaj, pronar i pikave të shitjes së karburanteve “Petrol Company”, në një bisedë me Ekonomia Online.

Në objektin e rindërtuar të “Petrol Company”, në Bresje të Fushë-Kosovës, të enjten është hapur pika e re e rrjetit të famshëm amerikan për ushqime KFC.

Ndoshta i ndikuar paksa dhe nga ky moment, Jusaj shprehet i bindur se në Kosovë mund të bëhet biznes.

“KFC nuk është thjesht një brend i ushqimit, por është edhe një garanci dhe sinjal për të gjitha kompanitë e tjera nëpër botë që në Kosovë mund të bëhet biznes, mund të investohet dhe mund të jenë të suksesshëm”, shprehet Jusaj.

“Në Kosovë ka shumë afera, ka shumë thashetheme, megjithatë ne po vazhdojmë të bëjmë biznes, po vazhdojmë të zgjerojmë aktivitetet”.

Në intervistën për Ekonomia Online, Jusaj thotë se një nga problemet kryesore të bizneseve në vend ka qenë çmimi i shtrenjtë i arkave fiskale. Kundërshti ka pasur sidomos nga pikat e derivateve të naftës. Por, pas liberalizimit të tregut dhe lirimit të çmimit të arkave fiskale, ai beson se kjo çështje po rregullohet.

Ai e vlerëson mjaft pozitive edhe masat fiskale që mori kjo qeveri. “Mendoj se me vazhdimin e Pakos Fiskale dhe procesit të fiskalizimit do të rregullohen shumë gjëra”, thekson ai.

INTERVISTA E PLOTË:

shkelzen-jusaj2

EO: Si e vlerësoni klimën e biznesit në Kosovë?

Jusaj: Në Kosovë ka shumë afera, ka shumë thashetheme, megjithatë ne po vazhdojmë të bëjmë biznes, po vazhdojmë të zgjerojmë aktivitetet. Infrastruktura ligjore në Kosovë për të bërë biznes është e mirë, megjithatë mendoj se duhet të implementohen ligje dhe standarde të cilat veç janë në fuqi, dhe sigurisht që do të krijohen kushte edhe më të mira.

EO: Sa ka ndikuar pakoja e re fiskale në përmirësimin e klimës biznesore?

Jusaj: Pakoja e re fiskale do të ndikojë shumë pozitivisht, dhe ka ndikuar. Mendoj se me vazhdimin e pakos fiskale dhe procesit të fiskalizimit do të pastrohen shumë gjëra në të cilat ka pasur afera në të kaluarën dhe po besoj që në të ardhmen do të mund të punojnë të gjitha ato kompanitë që besojnë në kushtet dhe standardet për zhvillimin e aktivitetit biznesor.

EO: A mendoni se duhet ndryshuar kjo pako?

Jusaj: Mund të ketë ndoshta disa përmirësime të vogla, por mbi 95 për qind është në rregull. Kështu që i vetmi problem ka qenë vetëm tek arkat fiskale, të cilat kanë pasur çmime të papranueshme për bizneset, por edhe kjo është tejkaluar dhe tash të gjitha kompanitë të cilat vërtetë dëshirojnë të zhvillojnë aktivitetin biznesor janë në procesin e fiskalizimit

EO: Cila ishte ideja e hapjes së këtij restoranti? Sa punëtorë do të jenë të angazhuar në këtë restorant?

Jusaj: Ideja e hapjes së restorantit është që t’iu ofrohet qytetarëve ushqim sa më cilësor, sepse kohëve të fundit, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin ka afera për probleme me kualitetin e mishit, përderisa KFC garanton kualitetin, sepse ka mbi 13 mijë dyqane në gjithë botën. Kështu që në të njëjtën kohë janë punësuar edhe 30 punëtorë me çka KFC do të vazhdojë hapjen edhe në të gjithë territorin e Kosovës, e që do të hapë edhe qindra vende tjera të punës.

EO: A i ka munguar Kosovës një brend i tillë i restoranteve siç është KFC-ja?

Jusaj: Sigurisht që i ka munguar një brend siç është KFC. Dhe KFC nuk është thjesht një brend i ushqimit, por është edhe një garanci dhe sinjal për të gjitha kompanitë e tjera nëpër botë që në Kosovë mund të bëhet biznes, mund të investohet dhe mund të jenë të suksesshëm, sepse nuk është gjithçka siç është prezantuar Kosova, se ka hapësirë të bëhet biznes.

EO: Sa do të jetë atraktiv ky restorant? Cilat janë risitë e këtij restoranti për dallim restoranteve tjera në vend?

Jusaj: Restoranti është shumë atraktiv, sepse tani sa janë dërguar fotot e para në qendrën, e cila është në Londër dhe Amerikë, e që momentalisht është shpallur si objekti më i mirë. Kështu që, po besoj që ambienti është shumë i veçantë, ushqimi po ashtu shumë i veçantë me hapësirë të mjaftueshme për parking. Ushqimi ka një shije të veçantë, i cili është një sekret të cilin e kanë kultivuar për 70 vite.

 EO: Thatë që është sekret, a do të zbulohet ky sekret i ushqimit të cilën e bëjnë KFC?

Jusaj: Sigurisht që nuk do të zbulohet për arsye se është një markë e mbrojtur, dhe e cila recetë nuk është publike.

EO: A planifikoni që të hapni edhe pika tjera të restorantit të tillë në Kosovë?

Jusaj: “Petrol Company” ka një marrëveshje me “KFC Kosova”, me pronar Fatmir Zymberin. “Petrol Company”, si gjithmonë, ka prirë me risi nëpër Kosovë. Kështu që, kjo është edhe një risi tjetër, ku brendi i parë në Kosovë dhe më i njohuri në këtë sektor gjendet brenda objektit të “Petrol Company”. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me “KFC Kosova”, edhe në pikat e tjera, aty ku plotësohen standardet e KFC-së, të cilat do të jenë të pranueshme për qendrën.

Të ngjashme