Mesditën e së shtunës së 16 shtatorit, 16-vjeçari Aulon Zeka, u gjet i vrarë në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinë.
Të nesërmen, Policia arrestoi dy të mitur, që dyshohen për vrasjen e rëndë. Megjithatë, arma më të cilën u krye krimi ndaj të riut ka dy javë që ende nuk është gjetur.
Organet kompetente edhe pas dy javësh nga vrasja e Aulon Zekës nuk kanë arritur ende ta gjejnë armën më të cilin u qëllua katër herë 16-vjeçari nga Prishtina.
Këtë ia kanë konfirmuar Gazetës Express burime brenda autoriteteve të hetuesisë në Kosovë.
Aulon Zeka u vra të premten e 15 shtatorit, ndërsa trupi i tij u gjet pas 13 orëve, mesditën e së shtunës (16 shtator). Vendi ku ka ndodhur krimi nuk është aq i frekuentuar, andaj viktima është gjetur të nesërmen, dhe për këtë nuk ka asnjë dëshmitar okular.
Për këtë vrasje, policia ka arrestuar dy të mitur, Guxim H. (16 vjeç) dhe Riga G. (15 vjeçe), ndaj të cilëve Prokuroria u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Para se rastin ta marrë në kompetencë Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori i rastit, Valdet Gashi, pati thënë se disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, mund të përbëjnë dëshmi për përfshirjen e supozuar të dy të dyshuarve në rastin e vrasjes së Zekës, Guxim H. dhe Riga G.
Vetëm pak minuta pas vrasjes së Aulon Zekës, dy të dyshuarit, Guxim H. dhe Riga G., janë shfaqur “live” në një prej rrjeteve sociale, ku Guximi shihet me një pistoletë që e mban rreth qafës së të dyshuarës, e cila shihet duke qeshur.