Armend Muja i thur lavde shefit të ri: Kurti do të jetë kryeministri më i votuar që ka prodhuar historia, burim krenarie për shqiptarët gjithandej…

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 00:35 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i ri i Vetëvendosjes dhe kandidati për zgjedhjet e 14 shkurtit, Armend Muja, vlerëson se populli po e pret me padurim zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Kurti do të jetë kryeministri më i votuar në historinë e demokracisë së Kosovës dhe se nuk ka rrezik që të mos lejohet të kandidojë për deputet, bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses.

“Albin Kurti që nga prilli është lideri i vetëm i preferuar, sot në rast se bëhet një përjashtim i tillë, kjo do të shkaktonte një traumë tjetër pas grabitjes së pushtetit që ndodhi. Fuqimisht jam i bindur, jo që do të jetë pjesë e listës, po do të jetë më i votuari në historinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme me i dhënë legjitimitet reformës që njerëzit e presin, pa të kjo do të jetë e pamundshme. Do të jetë kryeministri më i votuar që ka prodhuar historia në Kosovë, do të jetë burim krenarie, për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej. Kurti e përfaqëson modelin e politikanit që është i dedikuar, nuk është i shantazhueshëm, nuk është kokulur, detyrimisht në të ardhmen mund të prodhojë një jehonë në gjithë rajonin”, ka thënë ish-analisti politik, Muja.

Ai ka thënë se as nga ana etike as juridike nuk do të mund t’i mohohet Kurtit të kandidojë.

Të ngjashme