Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj, doktorit Fehmi Ahmeti, nën dyshimin se ka bëre ndërprerjen e palejuar e shtatzënisë- abort.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit F.A për shkak të veprës penale Ndërprerja e pa lejuar e shtatzënisë nga neni 184 par2 të Kodit Penal Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marr aktvendim dhe të pandehurit F.A iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej datës 07.02.2019 deri me datë 06.03.2019.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.A me dt. 15.01.2019 në kundërshtim me Ligjin 03/L-10 për ndërprerjen e shtatzënisë, në ordinancën e tij private specialisktike-gjinekologjike ka bërë ndërprerjen e shtatzënisë ndaj të dëmtuarës A.G.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e arrestit shtëpiak është bërë duke pasur parasysh peshën e veprës penale, pasi që i pandehuri po të gjendet në liri, ekziston rreziku se i njëjti do të ndikoj tek dëshmitarët apo të arratiset me qëllim që ti shmanget përgjegjësisë penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.