Arrestimet për krime lufte, Serbia po i konsideron “të motivuara politikisht”

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë të mërkurën se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Lidhur me këto arrestime ka reaguar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.

“Është e qartë se [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t’i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe, pa përmendur se të ndaluarit akuzohen për krime lufte.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se këto arrestime janë bërë “me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe krizave të reja në terren”.

“Për serinë e arrestimeve të motivuara politikisht, Zyra për Kosovë dhe Metohi do t’i informojë përfaqësuesit dhe misionet ndërkombëtare që veprojnë në zonën e Kosovës dhe Metohisë, sepse çdo gjë që Prishtina bën, dhe bën çdo ditë, ka për qëllim që të shkaktojë tensione dhe probleme të reja terreni, për këtë arsye nuk heziton nga lëvizjet e shumta përshkallëzuese të cilat drejtpërdrejt kërcënojnë me rrënimin e qetësisë në këto zona”, kanë thënë pjesëtarë të kësaj Zyre.

Të dy këta trupa i kanë vlerësuar edhe arrestimet e së kaluarës nga institucionet e Kosovës si “të motivuara politikisht”.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. /REL

Të ngjashme