Në tri raste të ndara, Policia e Kosovës ka arrestuar 14 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, shkruan Gazeta Express.
Në rastin e parë është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”.
“Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar; Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestoj personin e dyshuar mashkull kosovar me iniciale (M.M.), për kryerje të veprës penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndërsa, në rastin e dytë janë arrestuar 12 persona të dyshuari për “Kontrabandim me migrantë”.
“Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave për përfshirje të disa personave në aktivitete të kundërligjshme të kontrabandimit me migrantë, pas realizimit të dy operacioneve të mëhershme në muajin korrik të këtij viti ku ishin arrestuar 17 persona të dyshuar dhe ishin identifikuar 11 viktima të kontrabandimit me migrant, sot me 20 tetor ka realizuar operacionin e radhës. Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi ka realizuar bastisje në pesë lokacione me ç’rast ka arrestuar 12 persona të dyshuar, prej tyre gjashtë shtetas kosovar dhe gjashtë shtetas të huaj si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë.”
Ndërkaq, në rastin e tretë, Policia e ka arrestuar një person për “Prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve”.
“Prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve; Me datë 19.10.2022, Policia e Kosovës gjatë mbajtjes së një pike kontrolli ka ndaluar veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur katër qese me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë me peshë prej 35gram. Në konsultim me GjPP është marrë urdhër verbal për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë në vijim: Një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 708 gram, sasi e dyshuar e marihuanës me peshe rreth 902 gram, sasi e dyshuar e marihuanë me peshë rreth 163 gram (gjithësej 1.8kg substancë narkotike e llojit marihuanë), vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjellura të dyshuara të llojit Kanabis. Ne lidhje me rastin është njoftuar prokurori i kompetent i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar vendimin për ndalim policor prej 48 orësh”.