Arrestohen dy grabitësit e pasuksesshëm që ishin frikësuar nga moderatori Enur Pakashtica

Prishtinë | 01 Sht 2022 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Ishin nisur për të grabitur objektin e postës së shpejtë ‘Mik Mik’ në Mazgit të Obiliqit, por dy nga katër të dyshuarit që u treguan të pasuksesshëm në qëllimin e tyre tashmë janë arrestuar.

Sinjali ka raportuar se dy nga katër të dyshuarit për rastin u arrestuan nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme.

Ata janë kapur në një villë në fshatin Jezerc të Ferizajt dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje në tentativë’.

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore ka bastisur shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku është gjetur dhe konfiskuar një revole, dy karikatorë dhe fishekë. Po ashtu po vazhdojnë veprimet hetimore për të kapur edhe të dyshuarit tjerë.

Kujtojmë se i përfshirë në këtë ngjarje ishte moderator i njohur, Enur Pakashtica. Grabitësit kishin hyrë në katin e parë të biznesit të moderatorit ditën e 23 qershorit.

Katër veta dyshohet se janë futur për të grabitur në këtë biznes. Por, pas më shumë se dy muajve janë arrestuar vetëm dy prej tyre.

Pakashtica para më shumë se dy muajve kishte sqaruar për publikun se si kishte ndodhur rasti.

Ai kishte thënë se është kërcënuar nga një person me armë AK 47 për t’i dhënë para, por që ai iu është vërsulur dhe grabitësit kanë ikur.

“Kam qenë në katin e dytë të ambienteve ku punoj, kur kanë ardhur grabitësit. Njëri prej tyre mu afrua me një armë të tipit “AK 47” dhe po më kërcënonte që t’i jepja para. Por nuk e bëra një gjë të tillë. Iu vërsula edhe unë pas.

Edhe ai filloi të zbrapset. Kur zbrita pashë edhe 3 bashkëpunëtorë të tij dhe i pashë që filluan të dilnin jashtë. Kur dolën, pashë që qëlluan me një plumb në ajër. Për fat të mirë plumb nuk kapi në njerëz, apo në sende”, është shprehur prezantuesi”, është shprehur Pakashtica.

Rastin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh:

“Katër të dyshuar meshkuj të maskuar dy prej tyre me armë të gjata, një me revole dhe një me një çekan kanë tentuar të kryejnë një grabitje në një biznes (postë e shpejtë). Pas ballafaqimit verbal me pronarin e biznesit, të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Gjatë ballafaqimit dyshohet se pronari i biznesit ka ekspozuar një revole, e cila është sekuestruar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet”.

Të ngjashme