Dy persona janë arrestuar pasi kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e një personi tjetër duke vjedhur vegla pune në vlerë rreth 4.000 euro.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:00 në fshatin Sërbiuce e Ulët.
“Më datë 16.02.2021 rreth orës 14:00 , hetuesit e Stacionit Policor Prizren – Veri, pas veprimeve hetimore paraprake kanë identifikuar dhe lokalizuar vend-qëndrimin e dy të dyshuarve me iniciale D.T i lindur në vitin 1963 dhe I.G i lindur në vitin 1997. Të njëjtit janë arrestuar në fshatin Sërbice e Ulët dhe janë shoqëruar në polici për intervistim. Arrestimi i tyre është bëre për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit në bashkëveprim, me datë 27 janar 2021 rreth orës 13:00 kanë depërtuar me përdorim force në shtëpinë e viktimës se rastit duke i hequr grilat dhe duke e dëmtuar dritaren e shtëpisë.
Të dyshuarit nga shtëpia e viktimës arrijnë të vjedhin vegla pune të ndryshme në vlerë rreth 4000 euro. Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Njëri nga të dyshimtit e pranon veprën e cila i ngarkohet. Tek të dyshuarit janë gjetur gjësendet e vjedhura të cilat janë sekuestruar nga ana e krim teknikut në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me aktvendim dy të dyshuarve u shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë, dhe kundër tyre do të ngritët Kallëzim Penal për vjedhje të rëndë.