Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre për dhunë në familje, e tjetri për armëmbajtje pa leje.
PK-ja ka bërë të ditur se arrestimi është realizuar mbrëmë në fshatin Shtedim të Podujevës, pas raportimit të një rasti të dhunës në familje.
“Në kuadër të veprimeve operative që po kryejnë zyrtarët policor të Rajonit të Prishtinës, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, nga zyrtarët e stacionit policor të Podujevës, janë arrestuar dy persona të dyshuar (njëri për dhunë në familje dhe tjetri për armëmbajtje pa leje). Në koordinim me prokurorinë është kryer një kontrolle e vendbanimit të personit të dyshuar ku janë gjetur dhe sekuestruar: tri armë zjarri dhe municion”, thuhet në njoftim.
“Ndaj personit të dyshuar G.H, mashkull, 23 vjeç, është iniciuar rast për dhunë në familje, ndërsa ndaj të dyshuarit E.H, mashkull, 49 vjeç për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve. Personat e arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendër të mbajtjes”, thuhet më tej në komunikatë.