Policia e Kavajës ka arrestuar administratorin dhe katër punonjës të një resorti në Golem, të dyshuar për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi dyshohet se penguan dhe mbajtën të mbyllur punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës.
Në pranga, sipas policisë, ranë S. N., 34 vjeç, administrator i resortit, Z. J., 56 vjeç, shef finance, A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë, si dhe H. S., 64 vjeç, dhe B. A., 57 vjeç, punonjës të sigurisë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur të shtunën, kur pesë të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Tatimeve, të cilët ndodheshin në resort për të kryer detyrën e tyre.
Arrestimet u kryen pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.