Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Ferizajt si dhe një përfitues të tenderit pasi të njëjtit dyshohen për veprat “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik”.
Sipas komunikatës së Policisë, personat në fjalë dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, kanë ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në teren, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe buxhetit të Kosovës në vlerë prej 67.659.41 Euro, raporton Klan Kosova.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) dega në Ferizaj, pas veprimeve hetimore disa mujore ka arritur të siguroj dëshmi se i dyshuari S.B., m/k viti I lindjes 1963 me pozitë Arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit Komuna e Ferizajt, në rastin konkret i caktuar si Menaxher i një projekti, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, konkretisht ka nënshkruar situacionet dhe një aneks kontratë pa bërë verifikimin e punëve të kryera në teren, duke i mundësuar përfitim material të dyshuarit H.H., m/k viti I lindjes 1963”, thuhet në komunikatë.
“Më këto veprime, i dyshuari S.B. duke mos zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë e Menaxherit të Projektit, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, kurse I dyshuari H.H. si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në teren, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 67.659.41€uro, dhe me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik’”, thuhet tutje.
Sot me datë 20.09.2023, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës ku me urdhër të prokurorit kujdestar të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.