Arrestohet ish-kryeprokurori në Meksikë, akuzohet për zhdukjen e 43 studentëve

Prishtinë | 20 Gus 2022 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-prokurori i përgjithshëm i Meksikës është arrestuar nga autoritetet në lidhje me zhdukjen e 43 studentëve në vitin 2014.

Jesus Murillo Karam, që udhëhoqi hetimet ndaj masakrës, akuzohet për zhdukje të njerëzve, ushtrim torturash dhe pengim të drejtësisë.

Studentët u zhdukën teksa po udhëtonin me autobus përmes qytetit të Igualasë drejt Qytetit të Meksikos, ku do të mbanin një protestë.

Përveç mbetjeve trupore të tre prej tyre, asgjë nuk dihet mbi fatin e 40 të tjerëve.

Policia bashkiake hapi zjarr ndaj autobusit që transportonte studentët mbrëmjen e 26 shtatorit 2014, por se çfarë ndodhi më pas nuk dihet.

Zhdukja misterioze e të rinjve shkaktoi tronditje në mbarë botën dhe protesta të gjera në Meksikë ndaj pandëshkueshmërisë dhe bashkëpunimit të shtetit me krimin e organizuar.

Jesus Murillo Karam është zyrtari më i lartë që arrestohet lidhur me ngjarjen.

Të ngjashme