Arrestohet në Kosovë serbi i dyshuar për grabitje të armatosur në Zvicër

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar i cili po kërkohej nga organet zvicerane, për veprën penale “Grabitje të armatosur”.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar përmes Interpolit dhe me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari serb, shtetas i Serbisë, dhe është dërguar në mbajtje.

“Zvicër (NN) 03.09.2020-NN. Është raportuar se në bazë bashkëpunimit ndërkombëtar përmes Interpolit dhe me urdhër të Prokurorisë Themelore Prishtinë departamenti për krime të rënda, është arrestuar i dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë dhe i njëjti është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.

Ndërkaq zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka deklaruar për Express se i dyshuari është në kërkim nga autoritetet ndërkombëtare dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “grabitje e armatosur në një shtet tjetër”.

“Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, në këtë fushëveprim referuar bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, pardje ka arrestuar një person të dyshuar (mashkull/serb/viti i lindjes 1977 ) i cili është në kërkim nga autoritetet ndërkombëtare dhe i cili dyshohet për kryerje të veprës penale” grabitje të armatosur në një shtet tjetër. Me vendim të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë, përderisa nga autoritetet e Republikës së Kosovës në proces janë procedurat për ekstradim”, ka deklaruar Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme