Arrestohet një nga njerëzit më të kërkuar në Evropë

Prishtinë | 16 Sht 2022 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Policia spanjolle ka arrestuar një nga të dyshuarit më të kërkuar në Evropë për pastrim parash. Lajmi është bërë i ditur për mediat ndërkombëtare nga Europol, por pa konfirmuar identitetin e tij.

I kërkuari me shtetësi të dyfishtë irlandez-britanik u arrestua të hënën në qytetin jugor të Malaga-s pas një operacioni disa mujor.

Ai akuzohet për pastrimin e më shumë se 200 milionë eurove në para të paligjshme për organizatat kriminale në mbarë botën.

Paratë dyshohet se janë transferuar duke përdorur sistemin bankar nëntokësor hawala, i cili nuk regjistron asnjë transaksion monetar fizik.

Zyrtarët filluan hetimet në fillim të vitit 2021 pasi autoritetet spanjolle kapën 200 kilogramë kokainë dhe 500,000 euro para të thata, të cilat u gjetën të fshehura në ndarjet sekrete të një numri automjetesh.

Dy persona të tjerë u arrestuan gjithashtu në Spanjë dhe një në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 11 prona u kontrolluan, tha Europol në një deklaratë. Njëri nga të dyshuarit ishte shitës makinash që dyshohet se ofronte automjete për organizatat kriminale.

“I dyshuari kryesor dhe bashkëpunëtorët e tij ishin përgjegjës për mbledhjen e sasive të mëdha të parave të gatshme nga organizatat kriminale, të cilat më pas do t’ua ‘dorëzonin’ organizatave të tjera kriminale në vende të tjera”, tha agjencia.

Një burim i afërt me hetimin i tha AFP-së se i dyshuari kryesor ishte 62-vjeçari John Francis Morrissey, por Europol nuk e ka konfirmuar identitetin e tij.

Agjencia deklaroi se i arrestuari ka lidhje me kartelin ndërkombëtar të bosit të dyshuar irlandez të krimit të organizuar Daniel Kinahan, i cili është sanksionuar nga SHBA.

“Në prill të këtij viti, ky person dhe kompania e tij u përcaktuan nga Departamenti Amerikan i Thesarit se ofronin mbështetje për klanin Kinahan”, tha Europol.

“I dyshuari kryesor u konsiderua një objektiv me vlerë të lartë nga Europol për përfshirjen e tij në një numër çështjesh kriminale të profilit të lartë në të gjithë Evropën”.

Hetimi 18-mujor u drejtua nga Guardia Civile e Spanjës, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, policinë holandeze dhe Garda irlandeze.

Të ngjashme