Policia e Kosovës ka njoftuar se me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka arrestuarin të dyshuarin B. M., i përkatësisë serbe, i cili ndodhej në arrati.
PK ka njoftuar se ka kryer arrestimin e të kërkuarit nga gjykata, sot rreth orës 12:00, në hyrje të autostradës në Reshtan të Suharekës.
Mediat serbe sot kanë njoftuar se në Suharekë është arrestuar një 74-vjeçar me iniciale B.M, me akuzën për “Krime të Rënda”, dhe “Krime Lufte”.
Ai, siç transmeton RTS, gjoja është nxjerrë nga grupi i serbëve të cilët kanë shkuar për të vizituar shtëpitë e veta në Mushtisht të Suharekës.
Ndaj këtij arrestimi, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se ky arrestim, sipas tij është “vazhdim i politikës së spastrimit etnik të popullit serb”.
Në fund të reagimit të tij, Gjuriq është kërcënuar se durimi i autoriteteve në Serbi nuk është i pakufishëm dhe se “normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet nëse pala tjetër nuk e do”.