“Arrival”, pretendent serioz për Oscar (Video)

Prishtinë | 19 Sht 2016 | 10:09 | Nga

Pasi ‘traileri’ i parë i dramës fantastiko-shkencore “Arrival” u publikua muaj më parë, shumë njerëz patën dy mendime.
I pari: Ky film duket i mrekullueshëm. Dhe, i dyti: A mundet ky film fantastiko-shkencor të jetë pretendent i madh për çmim Oscar?

Recensionet e hershme pas shfaqjes së filmit të regjistorit Denis Villeneuve në Festivalin e Filmit në Telluride dhe në Festivalin e Filmit në Venedik lavdëruan bajagi shumë “Arrival”, dhe pas shfaqjes së filmit para një audience më të madhe dhe më komerciale në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, mund të kemi më të qartë përgjigjen për pyetjen e dytë.

Filmi është i bazuar në një tregim të shkurtër nga Ted Chiang, dhe nis kur 12 UFO arrijnë në Tokë në disa lokacione. Më pas, qeveritë e botës kontaktojnë me speciet jashtëtokësore, por përballen me një pengesë të madhe: s’ka ndonjë mjet të qartë të komunikimit me jashtëtokësorët në fjalë.

Këtu vijnë në pah gjuhëtarja Dr. Louise Banks (rolin e të cilës e luan Amy Adams, e cila tashmë po llogaritet si pretende për çmim Oscar për aktoren më të mirë), dhe fizikanti Ian Donnelly (rolin e të cilit e luan Jeremy Renner), të cilët angazhohen urgjentisht nga qeveria amerikane për të bërë përpjekje për të komunikuar me speciet jashtëtokësorë që e kanë fituar vëmendjen e mbarë botës.

Filmi sigurisht se ka prestigj, jo vetëm për faktin se në të luajnë Adams dhe Renner, por edhe se është bërë nga Villeneuve, i cili debutimin për një studio të madhe filmike e ka pasur me dramën e jashtëzakonshme të 2013’s, “Prisoners”, dhe i cili ka shijuar sukses edhe më të madh me të mrekullueshmen e vitit të kaluar, “Sicario”.

A do të mundet “Arrival” të triumfojë në Oscars si filmi më i mirë? Është e mundshme. Filmi është fantastik, dhe Adams sjell një performancë të jashtëzakonshme si aktore në rol kryesor, që mund t’i sjellë filmit triumfin në fund.

Në thelb, “Arrival” është një dramë për vuajtjen, dhe elementi emocional i filmit u ka bërë përshtypje kritikëve të filmit. Por, ai është po ashtu film fantastiko-shkencor, dhe Akademia e Filmit s’i pret aq ngrohtësisht prodhimet e këtij zhanri, përveç nëse ato janë të rrënjosura thellë në realitet, siç kanë qenë “Her” apo “The Martian”.

Jashtëtokësorët janë terren i paparashikueshëm për anëtarët votues të Akademisë, por ky është një film inteligjent i mbështetur në shkencë, me personazhe të mrekullueshme dhe me një tregim emocional, që mund të fitojë zemrën e anëtarëve të Akademisë dhe të fitojë Oscar në fund.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme