Ceremonia “Oscar” do të organizohet me të ftuar në sallë

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

“Transmetimi live i ceremonisë ‘Oscar’ do të ndodhë”, kështu ka deklaruar një zëdhënës i Akademisë së Arteve dhe Shkencave, e cila e organizon ngjarjen më të rëndësishme të filmit në botë.

Gjatë këtij viti, Akademia i bëri disa ndryshime në organizimin prestigjioz të përvitshëm, duke e shtyrë datën e mbajtës së ceremonisë “Oscar” për dy muaj, nga shkurti në prill të vitit 2021, si pasojë e pandemisë së vazhdueshme COVID-19.

Burime të afërta kishin deklaruar se organizatorët kanë vendosur ta shtyjnë ceremoninë, me shpresën se kinematë do të rihapen në pranverë, dhe kështu sa më shumë filma të kenë mundësi të garojnë për çmimet prestigjioze “Oscar”.

Por edhe pse kinematë nuk u hapën plotësisht, mbajtja e kësaj ceremonie në fund të muajit prill ka për qëllim që ngjarja më e madhe e filmit në botë, të ketë mundësi të mbahet në formën e rregullt dhe të transmetohet live.

Edhe ky plan shoqërohet me sfidat e veta, duke krijuar dyshime rreth numrit të njerëzve që do të mund ta ndjekin atë, pavarësisht se në teatrin “Dolby” në Los Angeles ku tradicionalisht organizohet kjo ngjarje, mund të akomodohen rreth 3.400 persona.

“Akademia e Arteve dhe Shkencave së fundmi e ka bërë një inspektim të sallës së teatrit ‘Dolby’, për t’i parë mundësitë më të mira të organizimit të ceremonisë në formë të rregullt,” citohet të ketë thënë një zëdhënës.

Ende nuk është e qartë se cilat protokolle të sigurisë do të prezantohen për ceremoninë. Gjithashtu ende nuk dihet sa aktorë të nominuar do të kenë mundësi apo të pranojnë të jenë prezent në sallë. Madje, shumica prej yjeve të hollywoodit që kryesisht konkurrojnë në kategoritë për aktrim, i takojnë moshës së shtyrë, të tillë si: Anthony Hopkins, Ellen Burstyn, Sophia Loren, Meryl Streep, David Strathair, Yuh-Jung Youn he të tjerë.

Nga muaji mars kur bota hyri në karantinë, pandemia e koronavirusit e ka dëmtuar rëndë industrinë e filmit, me mbylljen e kinemave dhe pezullimin e realizimit të shumë projekteve kinematografike. Si përgjigje ndaj kësaj situate, akademia e filmit e ka shtyrë kohën e pranimit të filmave potencial për t’u nominuar. Normalisht pritej që konkursi të qëndronte i hapur nga 1 janari i këtij viti deri më 31 dhjetor, por tani filmbërësit kanë kohë deri më 28 shkurt për të aplikuar.

Ndërkohë, katër ceremoni tjera shpërblyese do të zënë vend para asaj “Oscar”. Ato janë “Globi i Artë” e cila mbahet më 28 shkurt, “Critics Choice” që mbahet më 7 mars, “SAG” ngjarje kjo e planifikuar për 14 mars të vitit të ardhshëm dhe ceremonia “BAFTA”, e cila mbahet më 11 prill 2021.

Të gjitha këto ngjarje të cilat i shpërblejnë filmat më të mirë të vitit, synojnë të mbahen live dhe në formë të rregullt, por disa prej tyre nuk e përjashtojnë edhe mundësinë për t’u organizuar në formatin virtual.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë konfirmuar mbi 13 milionë raste me koronavirus, dhe mbi 269 mijë persona kanë vdekur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme