ARRU paralajmëron: Keqpërdoruesit e ujit do të ndiqen penalisht

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit (ARRU) ka paralajmëruar masa ligjore kundër të gjithë atyre që e shfrytëzojnë ujin nga rrjeti publik pa lejen e ofruesit të shërbimeve të ujit.

“Si rezultat i keqpërdorimeve të ujit dhe kyçjeve të paautorizuara në rrjetin publik, humbjet e ujit janë shumë të larta, që në nivel vendi në vitin 2021 janë llogaritur të jenë 55%. ARRU ka kërkuar nga të gjithë ofruesit e shërbimeve të ujit që të intensifikojnë përpjekjet për identifikimin dhe përdorimin e të gjithë mekanizmave ligjor kundër të gjithë atyre që e shfrytëzojnë ujin nga rrjeti publik pa lejen e ofruesit të shërbimeve të ujit. Shfrytëzimi i ujit në mënyrë të pa autorizuar paraqet vepër penale dhe si veprim është i dënueshëm sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet nga ARRU.

ARRU ka thënë se keqpërdorimi i ujit më pas paraqet vështirësi për furnizim të rregullt me ujë të pijshëm të konsumatorëve, veçanërisht në stinën e verës.

“ARRU po ashtu ka inkurajuar ofruesit e shërbimeve të ujit që të rrisin përpjekjet për të nënshkruar kontratat e shërbimit (për ujë dhe ujëra të ndotur) me të gjithë konsumatorët, si mekanizëm për të zvogëluar keqpërdorimet e ujit dhe rastet e kyçjeve të pa autorizuara në rrjetin publik”, thuhet nga ARRU.

Të ngjashme