Artan Behrami: Më 16 shtator Prishtina dhe Haga duhet të bllokohen nga shqiptarët

Prishtinë | 01 Kor 2026 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar këtë gjykatë si një “monstrum politik” dhe duke bërë thirrje për mobilizim më 16 shtator, kur pritet vendimi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Behrami ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit gjyqësor dhe paraburgimin e të akuzuarve.

“TURP për çdo shtet që e financojnë Gjykatën Speciale – këtë monstrum politik. Që 16 vjet hetime, që gjashtë vjet paraburgim”, ka shkruar Behrami.

Ai ka bërë thirrje që më 16 shtator të organizohen bllokime në Prishtinë dhe në Hagë, duke e lidhur këtë me vendimin që pritet të merret nga trupi gjykues.

“Më 16 shtator, Prishtina dhe Haga duhet të bllokohen nga shqiptarët në pritje të vendimit. Është në dorën e panelit gjyqësor nëse kjo do të shndërrohet në festë për drejtësinë apo në protestën e pandalshme kundër padrejtësisë”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme