Një 29-vjeçar nga Mati, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit policor “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet A. Gj. u ekstradua nga Frankfurti, pas bashkëpunimit të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Wiesbaden në Gjermani.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar 29-vjeçarit, në maj të vitit 2024, masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai kërkohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Arrestimi i tij u bë i mundur në Gjermani, falë bashkëpunimit mes strukturave policore të dy vendeve, ndërsa më pas u realizua ekstradimi drejt Shqipërisë për të vijuar procedurat ligjore.
Policia e Shtetit bën me dije se operacioni “The Wanted” vijon në kuadër të përpjekjeve për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.