Artistët mbjellin pemë te Fakulteti i Arteve, kërkojnë ndërtimin e Sallës Koncertale

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 13:08 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Artistë pjesëmarrës të festivalit “Chopin Piano Fest” i janë përgjigjur sfidës “Mbill një pemë”, pasi janë nominuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Pianistet Ardita Statovci e Lejla Pula, kitaristi Petrit Çeku, si dhe drejtuesit e Festivalit, kanë mbjellë para Fakultetit të Arteve disa pemë, me ç’rast përcollën mesazhin dhe kërkuan ndërtimin e një salle koncertale.

Artistja Statovci tha se mbjellja e pemëve sot në ambientet e Fakultetit të Arteve, është dedikim për nisjen e themelit të Sallës Koncertale pasi që është shumë e nevojshme për karrierën e artistëve të rinj.

“Sot filluam me mbjelljen e pemëve duke iu përgjigjur sfidës së presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, së bashku me kolegët muzicientë. Sot kemi mbjell tre pemë te Fakulteti i Arteve, dega e muzikës në Prishtinë dhe dedikimi i bëhet çështjes së Sallës Koncertale. jësoj si pemët kanë nevojë për dritën dhe ujin, njësoj edhe gjenerata e re e studentëve që shkollohen këtu kanë nevojë për Sallën Koncertale. Pa Sallën Koncertale nuk mund të kërkojmë të kemi muzicientë profesionistë dhe mos të harrojmë  se për shkollimin e një muzicienti nevojiten minimum 20 deri në 25 vite shkollim”, tha ajo.

Kitaristi i njohur edhe ndërkombëtarisht, Petrit Çeku, tha se në mungesë të një salle koncertale në kryeqytet, ata nuk e kanë pasur mundësinë të performojnë para publikut kosovar.

“I falënderohem sfiduesve për këtë çështje fisnike dhe i bashkëngjitëm kërkesës për Sallë Koncertale. Ardita dhe unë paraqitemi në skena të ndryshme botërore dhe publiku i jashtëm ka mundësi me na ndëgju ashtu siç duhet, ndërsa në Prishtinë nuk e kemi pasur ende këtë rast”, tha ai.

E pianistja e njohur, Lejla Pula, tha se ata duan që simbolikisht përmes mbjelljes së këtyre pemëve të paraqesin nevojën e ndërtimit të Sallës Koncertale.

“Le të jetë kjo mbjellje e pemëve nga ana e artistëve të njohur që na nderojnë me prezencën e tyre erdhën këtu së bashku me Chopin Piano Fest dhe dëshirojmë që simbolikisht të tregojmë që e duam nisjen e themelit të Sallës Koncertale sepse të gjithë këta të rinj që shkollohen në këtë ndërtesë do kenë mundësi të shfaqin talentin dhe punën e tyre”, tha Pula.

Të ngjashme